Komuna e Podujevës ka angazhuar dy puntorë sezonalë për mirëmbajtjen e hapsirave përreth liqenit të Batllavës, të cilat i frekuentojnë qytetarët për t’u freskuar.
Shefi i Zyrës së Informimit në Komunën e Podujevës, Nazmi Elezi, për llapi.info ka deklaruar se këta puntorë janë angazhuar për mirëmbajtjen e ambientit përrreth liqenit për muajt gusht dhe shtator, pas skadimit të kontratës së Kompanisë “Pastrimi”, e cila ka qenë përgjegjëse.
Elezi ka thënë se këta dy puntorë janë të mjaftueshmë për pastrimin e hapsiravë të cilat i frekuentojnë qytetarët.
Këta puntorë punojnë çdo ditë, për pastrimin e atyre zonave, ku i hedhin mbeturinat nëpër konteinerë, bartjen e të cilave e bën pastaj Kompania “Pastrimi”.
Pas skadimit të kontratës me kompaninë “Pastrimi”, liqeni ishte i mbuluar nga mbeturinat e shumta në të gjitha hapsirat turistike, për të cilat edhe kemi raportuar disa herë./Llapi.info