Komuna e Podujevës shumë shpejt pritet të bëhet me Qendër për Aftësim Profesional. Këtë e ka konfirmuar edhe Ministri i Punës së Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi sot me rastin e nënshkrimit të Memorandumit 285,489 eurosh për ndërtimin e 30 shtëpive për familjet në nevojë në lagjen e Dëshmorëve në Podujevë, shkruan Llapi.info.

Në një prononcim për medie, Abrashi tha se ndërtimi i kësaj Qendre do të filloj brenda disa javësh.
“Biseduam edhe me kryetarin e Komunës, kemi biseduar edhe gjatë vitit të kaluar më gjerësisht  dhe tani ne kemi kaluar edhe në buxhet dhe shumë shpejt ne si ministri do të vijmë edhe me një projekt të ri këtu në Podujevë që ka të bëj me ndërtimin e Qendrës për Aftësimet Profesionale në Podujevë. Unë e falënderova kryetarin për ndarjen e tokës për të cilën ne tani edhe kemi marr letrat zyrtare dhe besoj që ne si ministri do të fillojmë procedurat në çështje javësh që  të fillojmë ndërtimin e Qendrës së Aftësimit Profesional këtu në Podujevë” tha Abrashi.

Sipas tij për ndërtimin e kësaj Qendre buxheti tashmë ekziston mirëpo, duhet pritur derisa të përfundoj hartimi i projektit të kësaj qendre.
“Ndërtimi i kësaj qendre është çështje e procedurave në buxhet, e kemi aprovuar ekziston buxheti në kuadër të ministrisë. Janë grupet e ekspertëve dhe inxhinierëve duke hartuar dizajnin se si do të duket ajo Qendër e Aftësimit Profesional, besoj që për çështje javësh  ne do të shpallim procedurat dhe do të fillojmë punën” tha ai.

Lidhur me këtë Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu tha se ndërtimi i kësaj qendre do të bëhet afër dy shkollave të mesme në Podujevë.

“Qendra do të ndërtohet në afërsi të shkollave të mesme, në afërsi të shkollës Teknike dhe Gjimnazit  do të jetë në vi me disa institucione komunale që janë në atë pjesë të qytetit sikurse është qendra për punë sociale një objekt që ka filluar i ndërtimit të kryqit të kuq dhe disa objekte tjera. Pra, do të jetë në atë pjesë të qytetit  ku janë edhe disa institucione tjera” tha ai.