Kryetari i komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi sot ka nënshkruar marrëveshje shërbimi me Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë Rajonale të ujësjellësit “Prishtina”SH.A., Sokol Xhafa, për ofrimin e shërbimeve sa më cilësore për furnizimin me ujë dhe ofrimin e shërbimeve të ujërave të ndotuara, njofton KOmuna, transmeton Llapi.info.

Qëllimi i kësaj marrëveshje është bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve ndërmjet komunës dhe KRU për ofrimin e shërbimeve cilësore të furnizimit me ujë dhe kanalizimit në tërë territorin e komunës së Podujevës.

Disa nga obligimet e KRU që derivojnë nga marrëveshja janë: të ofrojë shërbime në mënyrë efektive dhe efiçente në pajtim me Standartet e Shërbimit, të zhvillojë dhe zbatojë politika dhe procedura operative, të planifikojë investimet kapitale përmes planeve të veta të biznesit, të aplikojë tarifat e shërbimit të cilat janë aprovuar nga Rregullatori.

Ndërsa komuna e Podujevës obligohet t’i ofrojë me kohë KRUP informata relevante për planifikimin, zhvillimin dhe zgjerimin e Komunës në mënyrë që të përfshihet në investime kapitale dhe operative, t’i zbatojë masat për mbrojtjen e zonave të mbrojtuara të burimeve të ujit, të përfshijë KRUP në procesin e dhënies së pëlqimit në projektin e instalimeve të brendshme të ujësjellësit dhe kanalizimit. Në takim ishte i pranishëm edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Bahri Selimi.

Duhet theksuar se shumë qytetarë llapjanë ballafaqohen me mungesë të ujit me orë të tëra për çdo ditë./Llapi.info