Janë duke vazhduar punimet në zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës së qendrës në Podujevë, Zahir Pajaziti. Kostoja e gjithë këtij projekti kap shifrat e rreth 1 milion e 150 mijë euro. Mirëpo, kritika kanë dhënë këshilltarët opozitarë se është keqpërdorë paraja publike në rrugën kryesore të kësaj Komune, njofton Llapi.info

Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, zyrtarët komunalë i kanë bërë dy projekte për të njëjtën rrugë, dhe siç thonë, në këtë rrugë ka projekt mbi projekt. Shefi i VV-së në asamblenë komunale, Fitim Haziri, thotë se Komuna njëherë ka bërë rikonstruktimin në kohë fushate dhe tjetra që tash e heq asfaltin e para dy vjetëve.

Mirëpo, pyetjet që parashtroi Haziri për keqpërdorimin e rreth 160 mijë euro në këtë rrugë që tashmë ka filluar të prishet, nuk ka marrë përgjigje nga ekzekutivi.

“Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka sjellë një informatë, e cila sipas Grupit të këshilltarëve të LVV-së është informatë jo e plotë ku në këtë informatë mungojnë shumë elemente me rëndësi e që është dashur të ceken. Meqenëse bëhet fjalë për rrugën ‘Zahir Pajaziti’, në këtë informatë nuk ceket se po në këtë rrugë në vitin 2017 konkretisht, në shtator, në kohë fushate, në mënyrë të jashtëligjshme janë bërë rikonstruktimi dhe asfaltimi i kësaj rruge në vlerë prej 155.493.52 eurosh. E kemi marrë konfirmimin edhe nga kryesuesi i Kuvendit se kjo rrugë është ri asfaltuar kundërligjshëm. Vetë kryetari Veliu pati thënë se nuk do të prishet, ndërsa tani ka filluar të hiqet komplet asfalti. Këtu kemi të bëjmë me strukturën më të lartë të keqpërdorimit të taksapaguesve”, është shprehur Haziri.

Ndërsa, iniciuesi që kjo pikë të hyjë në rend dite ishte këshilltari i PDK-së, Arbër Blaku. Ky i fundit në foltore ka thënë se bizneset janë të paralizuara nga këto punime, sipas tij, të stërzgjatura.

“Për këtë projekt dyvjeçar duhet me dhënë më shumë detaje, ndërsa puna s’është kryer. A duhet të paditet kompania? E keni mbyllur rrugën, por është dashur të lirohen rrugët tjera e pastaj të prishet asfalti. Është dashur të rregullohet së pari rruga “Vëllezërit Frashëri”, për me mbyll atë pjesë. I keni paralizu totalisht bizneset dhe këtu është mosplanifikim i duhur. Andaj, kam propozim që për shkak të dëmeve bizneset të lirohen nga taksa se ka ndikuar në punën e tyre”, ka potencuar Blaku, duke shtuar që për t’u prishur një rrugë duhen të rregullohen tjerët që zëvendësojnë atë.

Megjithatë, sipas drejtori të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedit, Hamdi Jaha, Podujeva do ta marrë një pamje urbane pas përfundimit të punimeve. Jaha pranon se të njëjtat punë po i dëmtojnë bizneset përkitazi me rrugën.


“Në fund të vitit 2018 kemi përfunduar kanalizimin fekal dhe ujësjellësin, tani kemi mbyllur një pjesë të rrugës nga ‘Interexi’ deri te Hotel ‘Besiana’, e cila për 1 muaj e dy javë do të përfundojë. E dimë është shqetësim për bizneset dhe qytetarët, por ne kemi mundësuar qasje tjera për ta. Shumë shpejtë do të përfundojë rruga, e cila do të jetë moderne me tri korsi. 2019-21, nuk do të ketë asnjë shtyllë dhe Podujeva do ta marrë pamjen e një pjese urbane”, ka thënë drejtori i Drejtorisë, Hamdi Jaha.

Ndryshe, riasfaltimi i kësaj rruge ishte bërë në kohë fushate pa ndonjë vendim në Kuvendin Komunal, derisa i pari i Podujevës Agim Veliu, pati thënë se kjo rrugë nuk do të prishet, por në fakt ajo është shkatërruar në të gjithë rrugën e qendrës në Podujevë, e që është edhe më e frektuentura./Llapi.info