Komuna e Prizrenit ka ndarë 35 miojë euro për ndërtimin e një strehimore për qentë endacak.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i kësaj komune, Mytaher Haskuka me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook.


“Me iniciativën e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, ka filluar projekti për menaxhimin dhe kontrollin e qenve endacakë, i cili përfshin gjithë territorin e Kosovës dhe do të zgjas gjatë gjithë vitit”.
“Për këtë projekt do të kujdesen gjashtë kompani të ndryshme për rajonin e Prizrenit dhe komunat përreth, buxheti i të cilit është 67,500.00 € dhe parasheh zënien e qenve, mjekimin, kastrimin, sterilizimin dhe në raste të veçanta edhe ofrimin e shërbimeve të tjera shtesë, në përputhje me ligjin për përkujdesjen e kafshëve”.

“Pasi që këto shërbime do të financohen nga niveli qendror, Komuna do të kujdeset për ndërtimin e një strehimoreje, për të cilën tashmë ka filluar të shikohet një vend i përshtatshëm. Për këtë, Komuna aktualisht ka ndarë 35,000.00 € nga vija buxhetore e Drejtorisë së Bujqësisë”, ka shkruar ai.