Kritika të shumta janë hedhur në drejtim të ekzekutivit të udhëhequr nga Agim Veliu, për punimet në rrugën e qendrës në Podujevë “Zahir Pajaziti”, njofton Llapi.info
Në këtë pikë të rendit të cilën e ka kërkuar këshilltari i PDK-së, Arbër Blaku, u debatua gjerë e gjatë, por që detaje janë dhënë pak, ndërsa sa i përket harxhimit të 160 mijë eurove komunarët nuk janë përgjigjur, ani pse shefi i VV-së në asamble komunalë, Fitim Haziri u kërkoi dy herë detaje, që sipas tij, u ka kushtuar taksapaguesve 155 mijë e 493 euro.
Por, në këtë pjesë e cila ka filluar të prishet, qytetarë dhe bizneset po vazhdojnë të përballen me probleme të shumta.
Në informatën e dhënë nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, janë shpalosur pak detaje në lidhje me këtë çështje.
“Në fund të vitit 2018 kemi përfunduar kanalizimin fekal dhe ujësjellësin, tani kemi mbyllur një pjesë të rrugës nga ‘Interexi’ deri te Hotel ‘Besiana’, e cila për 1 muaj e dy javë do të përfundojë. E dimë është shqetësim për bizneset dhe qytetarët, por ne kemi mundësuar qasje tjera për ta. Shumë shpejtë do të përfundojë rruga, e cila do të jetë moderne me tri korsi. 2019-21, nuk do të ketë asnjë shtyllë dhe Podujeva do ta marrë pamjen e një pjese urbane”, ka thënë drejtori i Drejtorisë, Hamdi Jaha.
Në anën tjetër, mendim krejt ndryshe e kanë partitë opozitare për dinamikën e zhvillimeve të punimeve në këtë pjesë. Arbër Blaku i PDK-së, ka thënë se bizneset janë të paralizuara nga këto punimet, sipas tij, të stërzgjatura.
“Për këtë projekt dyvjeçar duhet me dhënë më shumë detaje, ndërsa puna s’është kryer. A duhet të paditet kompania? E keni mbyllur rrugën, por është dashur të lirohen rrugët tjera e pastaj të prishet asfalti. Është dashur të rregullohet së pari rruga “Vëllezërit Frashëri”, për me mbyll atë pjesë. I keni paralizu totalisht bizneset dhe këtu është mosplanifikim i duhur. Andaj, kam propozim që për shkak të dëmeve bizneset të lirohen nga taksa se ka ndikuar në punën e tyre”, është shprehur Blaku.
Sipas opozitarëve, zyrtarët komunalë i kanë bërë dy projekte për të njëjtën rrugë, njërën rikonstruktimin në kohë fushate dhe tjetri që tash e heq asfaltin e para dy vjetëve.
Fitim Haziri nga Lëvizja Vetëvendosje, në seancën e së premtes kur po diskutohej informata e Drejtorisë për Planifikim Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit për këtë rrugë, ka thënë se keqpërdorim të mjeteve ka edhe në ndërtimin e kanalizimit. Sipas tij, këtu ka projekt mbi projekt.
“Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit ka sjellë një informatë, e cila sipas Grupit të këshilltarëve të LVV-së është informatë jo e plotë ku në këtë informatë mungojnë shumë elemente me rëndësi e që është dashur të ceken. Meqenëse bëhet fjalë për rrugën ‘Zahir Pajaziti’, në këtë informatë nuk ceket se po në këtë rrugë në vitin 2017 konkretisht, në shtator, në kohë fushate, në mënyrë të jashtëligjshme janë bërë rikonstruktimi dhe asfaltimi i kësaj rruge në vlerë prej 155.493.52 eurosh. E kemi marrë konfirmimin edhe nga kryesuesi i Kuvendit se kjo rrugë është riasfaltuar kundërligjshëm”, ka thënë ai.
“Vetë kryetari Veliu pati thënë se nuk do të prishet, ndërsa tani ka filluar të hiqet komplet asfalti. Këtu kemi të bëjmë me strukturën më të lartë të keqpërdorimit të taksapaguesve”, është shprehur Haziri.
Mirëpo, Haziri nuk mori përgjigje për largimin e asfaltit që i kushtoi komunës rreth 160 mijë euro. Drejtor i Urbanizmit, Hamdi Jaha, në një replikë ka thënë se nuk ka pengesa dhe se nuk e di se çfarë është keqpërdorur.
Ndryshe, riasfaltimi i kësaj rruge ishte bërë në kohë fushate pa ndonjë vendim në Kuvendin Komunal, derisa i pari i Podujevës Agim Veliu, pati thënë se kjo rrugë nuk do të prishet, por në fakt ajo është shkatërruar në të gjithë rrugën e qendrës në Podujevë, e që është edhe më e frektuentura./Llapi.info