Sot në teatrin e qytetit të Podujevës, “Avdush Hasani”, u mbajt një takim me qytetarët i organizuar nga Kuvendi i Kosovës, me iniciativë të Forumit për Transparencë Parlamentare, njofton Llapi.info
Të pranishëm në këtë takim ishin deputetët e grupeve parlamentare, Saranda Bogujevci, Ahmet isufi, Enver Hoti, Salih Salihu, Fidan Rekaliu ku ky i fundit nuk kishte qenë i ftuar për këtë takim, ndërsa mungoj e ftuara Doruntinë Maloku.
Edhe pse ishte një takim me qytetarët, në këtë takim binte në sy një numër i vogël i tyre, përkundër kësaj deputetët kërkuan nga ta që t’i shpalosin problemet dhe shqetësimin e tyre.
“Komunës së Podujevës i duhet një Shtëpi e re të Kulturës, sepse kjo tash ka mbet e vjetër” ishte një shqetësim që një qytetar ua adresoi deputetëve.
Në lidhje me këtë edhe deputetet e pranishëm ishin në të njëjtin mendim, ku thanë se qytetit të Podujevës i nevojitet një Shtëpi Kulture.
“Do të shikoj se cilat janë planet e Komunës, por edhe të Ministrisë, se çfarë është planifikuar për Podujevën sa i përket zhvillimit të Kulturës” tha mes tjerash deputetja Saranda Bogujevci nga VV.
Në lidhje me këtë, edhe Fidan Rekaliu deputet nga LDK theksoi se komunës së Podujevës i duhet edhe një bibliotekë, përveç Shtëpisë së Kulturës.
“Është diskutuar edhe më herët që ambienti aktual i Komunës së Podujevës, të jetë një ambient për shtëpi të Kulturës. Përveç kësaj, Podujevës i duhet edhe një bibliotekë të qytetit si dhe problematika e spitalit të Podujevës” tha ai.
Kurse, deputeteve nga Kuvendi i Kosovës iu parashtruan edhe pyetje në lidhje me Arsimin në vitet e 90’ta.
Ndërsa, Rekaliu theksoi se “për çështjen e veteranëve të Arsimit të viteve të 90’ta javën e ardhshme është planifikuar që komisioni për Arsim të sjellët ky projektligj i cili njeh kontributin e Arsimit të viteve të mëparshme”./Llapi.info