Tëvë1 më herët ka raportuar se Ministria e Punëve të Brendshme ka ndryshuar masën e sigurisë ndaj produkteve që hyjnë nga Serbia përmes pikës kufitare Merdarë.

E këtë e konfirmoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media.

“Rebulika e Kosovës e ka ndërruar masën e sigurisë nga kufizimi te kontrolli i shtuar, derisa të na vijnë skanerët, në momentin që na vijnë skanerët atëherë do t’i vendosim në të gjitha pikat kufitare por derisa të na vijnë skanerët ne do ta hapim një pikë kufitare, e cila do ta ketë kontrollin e shtuar për shkak se masat që i kemi ne janë masa të sigurisë” – tha Kurti.

“Në njërën prej pikave kufitare ne po e bëjmë këtë ndryshim të masës sipas letrës që i ka dërguar drejtorit të Doganave, Ministri i Punëve të Brendshme dhe ai është marrë me këtë punë, po me këtë punë është marrë e gjithë Qeveria, prej meje e sidomos zv.kryeministrit, Besnik Bislimi..“

Kjo masë që po bëhet vetëm në një pikë kufitare, sipas Kurtit është e mjaftueshme për proceset që vinë ditëve në vijim, ku përfshihet edhe heqja e kushtit nga Gjermani për të marrë pjesë në Procesin e Berlinit.

“Këta kanë biseduar, kanë negociuar edhe me Bashkimin Evropian në veçanti me Gjermaninë dhe ne besojmë që ndryshimi i masës që e bëjmë është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA dhe të hënën në procesin e Bernlinit të kemi sukses të plotë“ – deklaroi Kurti në konferencë

Ndryshe, masa e sigurisë për ndalimin e mallrave serbe ishte marrë më 14 qershor nga Qeveria e Kosovës, atë ditë kur ishin rrëmbyer tre zyrtarët policorë të Kosovës nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës. Më vonë Qeveria ka marrë vendim për lehtësimin e masës së sigurisë për mallrat e lëndës së parë dhe gjysmë produkte.