Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani ka pritur në takim njoftues drejtorin e ri të zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Neil Taylor dhe bashkëpunëtorët e tij.
Në takim është biseduar për aktivitetet e BERZH-it në Kosovë dhe mundësitë e bashkëpunimit me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.
Taylor e konfirmoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë është njëri ndër partnerët kryesor të këtij institucioni në Kosovë.
BERZH ka investuar në vitin e kaluar rreth 81 milionë euro në projekte të ndryshme në Kosovë, me fokus të veçantë në zhvillimin e sektorit privat.
Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka konfirmuar se do të vazhdojë përkrahjen e aktiviteteve të MTI-së të specifikuara edhe në memorandumin e bashkëpunimit dhe njëri ndër projektet kryesore është zgjerimi i Parkut Industrial në Drenas.
Ministri Hasani mirëpriti gatishmërinë për përkrahje dhe vazhdimin e realizimit të projekteve, transmeton Klan Kosova.