Në mëngjesin e sotëm një 20 vjeçar ka humbur jetën në një aksident trafiku që ka ndodhur në Sibovc të Podujevës. Në këtë aksident janë lënduar edhe katër persona të tjerë, njofton KOHAnet, transmeton Llapi.info.
Policia e Kosovës e ka konfirmuar lajmin duke dhënë detaje të tjera, transmeton Koha.net.
“Njoftimi i PK-së
Sot rreth orës 07:00, në magjistralen Prishtinë – Podujevë, saktësisht në fshatin Sibovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku ku për pasojë një person ka humbur jetën dhe janë lënduar katër persona të tjerë.
Në këtë aksident kanë qenë të përfshira dy automjete të cilat ishin në lëvizje, automjeti i tipit “Kia-Sportage” ngjyrë e bardhë dhe një furgon transportues, që të dyja me targa të Republikës së Kosovës.
Si pasojë e këtij aksidenti viktima:
A.S. mashkull 20 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, ka ndërruar jetë nga plagët e marra. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërkohë që katër personat e lënduar (dy prej të lënduarve janë në gjendje më të rëndë), janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë për trajtim mjekësor.
Me hetimin e shkaqeve dhe rrethanave që kanë quar deri te kjo ngjarje po merren hetuesit e Njësitit Rajonal të Trafikut rrugorë.
Duke parë si shqetësues numrin e madh të aksidenteve të trafikut dhe veçanërisht numrin e madh të viktimave nga aksidentet fatale dhe të personave të lënduar, që po ndodhin këto ditë, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë me përpikëri të gjitha rregullat e kodit rrugorë, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në uljen e numrit të ngjarjeve aksidentale, uljen e vdekshmërisë në komunikacionin rrugor, e rrjedhimisht ngritjen e shkallës së sigurisë në trafik”.