Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar se një shtetas kosovar është plagosur në sulmin terrorist të kryer në Gao të Malit, ku dje u vra një shqiptar i Maqedonisë dhe një tjetër u plagos.
MPJ njofton se nëpërmjet Ambasadës së Kosovës në Senegal ka marrë informacione se dje, në lokalitetin Gao në Mali, është kryer një sulm terrorist mbi veturën e punëtorëve të kompanisë “Ecolog”, e cila është nënkontraktuese e Misionit Paqeruajtës të OKB-së, MINUSMA.
“Sipas informacioneve të siguruara nga MPJ, nga ky sulm terrorist, ka mbetur i vrarë E.I. nga Tetova/Republika e Maqedonisë, ndërsa të plagosur, por jashtë rrezikut për jetën kanë mbetur D.M., shtetas i Republikës së Kosovës me vendbanim në Fushë-Kosovë dhe B.L., gjithashtu nga Tetova”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.