Ish-kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni është sqaruar rreth lajmeve se ka pasur ftesë nga kryeministri Albin Kurti, për të qenë pjesë e ekipit negociator të qeverisë.

Sipas tij, ai kurrë nuk ka pasur një ftesë të tillë dhe se nëse do të kishte, Hyseni tha se nuk do ta pranonte.Më tutje ai deklaroi se për të dialogu është prioriteti numër një i Kosovës, teksa për Kurtin sipas tij nuk është.

“Unë nuk jam pjesë e ekipit dhe nuk kam pranuar as ftesë. Për më tepër, edhe po të kishte një ftesë të tillë, pergjigja ime ështe e prerë. JO! Nuk jam dhe nuk dua të jem pjesë e asnjë ekipi, sepse nuk besoj se Zoti Kurti është i vetëdijshëm se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë me njohje përfundimtare reciproke si shtete të pavarura është sot prioriteti numër NJË i shtetit tonë”, ka shkruar ai.


Postimi i plotë:

Mbrëmë dhe sot, pata presion të madh nga mediat për t’u deklaruar rreth spekulimeve sipas të cilave unë paskam pranuar dhe qenkam “pjesë e dialogut në Qverinë Kurti-2”. Spekulim i pastër!
Duke e vlerësuar kurreshtjen legjitime të medias, këtu po jap sqarimin tim për të gjithë. Unë nuk jam pjesë e ekipit dhe nuk kam pranuar as ftesë. Për më tepër, edhe po të kishte një ftesë të tillë, pergjigja ime ështe e prerë. JO! Nuk jam dhe nuk dua të jem pjesë e asnjë ekipi, sepse nuk besoj se Zoti Kurti është i vetëdijshëm se një marrëveshje përfundimtare me Serbinë me njohje përfundimtare reciproke si shtete të pavarura është sot prioriteti numër NJË i shtetit tonë. Duke ruajtur integritetin dhe karakterin unitar kushtetues, Kosovës i duhet një marrëveshje për njohje urgjentisht. Pra! Ka shumë rëndësi çfarë flet Kurt. Ai thot se dialogu nuk është prioriteti i tij!!! Duket se preferohet zvarritja dhe status-quoja, që une besoj janë gabime strategjike në dëm të Kosovës, sepse ky është realiteti. Gjithnjë jam angazhuar për konsensus të gjërë rreth çështjeve të interesit nacional. Besoj se partitë parlamentare duhet të gjejnë forcën dhe guximin të tejkalojnë lojrat e vogla poltike dhe të bashkohen në dialog me Serbinë. Zoti Kurti e ka mandatin dhe përgjegjësinë të nërtojë konsensusin dhe të bëj dialogun. Për aq sa kam parë deri më tani, edhepse e ka mandatin e plotë, kam frikë se Zoti Kurti nuk ka as guxim e as kompetencë që të marr përgjegjësinë për dialogun.
Skender Hyseni