Foto ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar për incidentet që kanë ndodhur javën e parë të muajit korrik në Podujevë, raporton Llapi.info

Të hënën e kaluar në një konferencë për medie, Policia njoftoi se në fshatin Lluzhan ka konfiskuar rreth 82 kilogramë substancë narkotike.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga ky aksion janë arrestuar tre persona. Sipas PK-së, përveç substancave narkotike, janë sekuestruar tri vetura dhe 5 telefona celularë.

“Rasti i fundit ishte me 30 qershor rreth orës 18:40, në magjistralen Prishtinë – Podujevë, konkretisht në Lluzhan. Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me narkotikë e ka realizuar operacionin policor, me ç’ rast ka ndalur tri vetura të dyshuara nën dyshimin e bazuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shtije të paautorizuar të narkotikëve. Gjatë kontrollit në njërën nga veturat në bagazh janë gjetur tetë paketime me marihuanë me peshë të përgjithshme 81 kilogramë e gjysmë, ndërsa në vazhdim të operacionit me urdhër të prokurorit janë kontrolluar edhe tri shtëpi, njëra në Bajçinë të Podujevës dhe dy tjera në Viti, por s’është gjetur asgjë. Lidhur me këtë janë arrestuar tre persona dhe janë konfiskuar rreth 81 kilogramë marihuanë që vlera e përafërt sillet rreth 100 mijë euro. Po ashtu, janë sekuestruar tri vetura dhe 5 telefona celularë”, pati thënë Drejtoresha e Divizionit kundër Krimit të Organizuar, Florie Hajra.

Më 1 korrik një person i kërkuar është arrestuar në Podujevë. Pa dhënë detaje tjera, Policia e Kosovës në raportin e sotëm ka bërë të ditur se arrestimi i tij është bërë në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj.

“Podujevë 01.07.2019-16:10. Në bazë të urdhëresës së lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj është arrestuar një mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit në qendrën korrektuese të burgut në Dubravë”, thuhet në raportin e e PK-së.

Të martën rreth orës 18:00 në këtë Komuna ka ndodhur një aksident trafiku mes katër automjeteve. Si pasojë e këtij aksidenti kanë mbetur të lënduar 8 persona. Sipas PK-së, dyshohet se deri te aksidenti ka ardhur duke mos e mbajtur distancën e duhur.

Ndërsa, të premten një person është arrestuar pasi që i njëjti kishte shtënë me armë zjarri.

Kjo është bërë e ditur nga Policia e Kosovës, ku rasti është cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje”.

Sipas PK-së, nga të shtënat s’ka të lënduar, ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Podujevë. 05.07.2019 – 11:50. Është arrestuar i dyshuar mashkull K/Shqiptar i cili kishte shtënë me armë zjarri por nuk raportohet për të lënduar. Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë ndërsa gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje, rasti është duke u hetuar”, thotë PK./Llapi.info