Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glau Konjufca gjatë homazheve që ka bërë tek lapidarët e të rënëve në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan tha se është detyrë e institucioneve të Kosovës që t’i mbledhin të gjitha provat për masakrat që kanë ndodhur në Kosovë dhe ato të jenë pjesë e padisë që sipas tij do t;I bëhet Serbisë për gjenocid.

Pas vendosjes së luleve te lapidari me emrat e 44 të vrarëve në fshatin Qyshk, Konjufca tha se Serbia 22 vjet më parë ka kryer aktet e gjenocidit, ndërsa tha se deri më tani nuk ka pasur drejtësi teksa bëri thirrje që drejtësia të vihet në vend,

“Familjarët e martirëve tanimë 22 vjet kanë jetuar me peshën e rëndë të mungesës së drejtësisë. Prandaj, është detyrë e institucioneve që sa më parë t’i mbledhim të gjitha provat për këto masakra që kanë ndodhur në Kosovë dhe ato të jenë pjesë e ndërtimit të argumenteve për padinë, e cila do t’i bëhet Serbisë për gjenocid”, tha Konjufca, transmeton KlanKosova.tv.

Pas Qyshkut, kryetari i Kuvendit, bëri homazhe dhe vendosi lule edhe te varrezat e 14 të rënëve në fshatrat Pavlan dhe Zahaq, ku para familjarëve të tyre tha se që nga shkurti i vitit 1998 e deri në qershor të vitit 1999, Serbia ka kryer në Kosovë mbi 300 masakra, duke vrarë mbi 14 mijë shqiptarë të Kosovës.

Ai tha se drejtësia e ka vlerën e njëjtë po aq sa edhe liria, prandaj ata asnjëherë nuk mund të jenë të qetë për sa kohë kriminelët, që i kanë shkaktuar këto masakra, të jenë të lirë.

“Ne e dimë që ky është çmimi i lirisë, sepse pa gjak dhe pa luftën çlirimtare të UÇK-së nuk do të ishte arritur liria. Por, po ashtu e vlefshme sa liria është edhe drejtësia. Dhe për sa kohë kriminelët lëvizin të lirë, as zemrat, e as shpirtrat e familjarëve dhe martirëve nuk mund të jenë të qetë”.

Kryetari i Kuvendit bëri homazhe edhe në varrezat e fshatit Llabjan, ku prehen trupat e dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati.​