Kryekuvendari, Glauk Konjufca në Ditën e Evropës, ka thënë se Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës brenda familjes evropiane dhe kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zhgënjim kolektiv për qytetarët e shtetit tonë.
Kështu u shpreh Konjufac nëpërmjet një postimi në Facebook.
Ai shtoi se Dita e Evropës e gjen Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt.
Postimi i plotë i tij:
Evropa është familja jonë e natyrshme dhe e ardhmja jonë.
Sot është Dita e Evropës, ditë kjo që ka hyrë në kalendarin e festave të shtetit tonë qysh nga shpallja e pavarësisë.
Zyrtarizimi dhe shënimi i kësaj dite, të cilën Evropa e shënon prej 9 majit të vitit 1950 në kujtim të nismës së projektit të integrimit evropian, ishte përqafim i vlerave demokratike dhe dëshmi e qartë e orientimit të palëkundur të Kosovës drejt familjes evropiane, së cilës i takon edhe gjeografikisht.
Për më tepër, Kosova dhe qytetarët e saj kanë bashkëjetuar dhe vazhdojnë të bashkëjetojnë prej pas çlirimit dhe pavarësimit me ëndrrën për t’u përbashkuar me popujt e kontinentit tonë nën kulmin e Bashkimit Evropian.
Por, edhe pas kaq vjetësh, Bashkimi Evropian është treguar i vonuar në proceset e integrimit të Kosovës brenda familjes evropiane dhe kjo ëndërr gjithnjë e më shumë po shndërrohet në një zhgënjim kolektiv për qytetarët e shtetit tonë.
Sepse Dita e Evropës e gjenë Kosovën jo vetëm pa statusin e kandidatit, por edhe pa liberalizim të vizave, e ndërsa qytetarët e saj në një getoizim të pashembullt. Përveçse diskriminim dhe padrejtësi e madhe, kufizimi i lirisë së lëvizjes është edhe shmangie nga parimet e një Evrope pa kufij.
Qytetarët e Kosovës, edhepse të shpërfillur, vazhdojnë të besojnë fort në politikat integruese evropiane dhe të shpresojnë që, në një të ardhme të afërt, Evropa do t’ua hapë dyert, siç i hapi për shumë shtete e popuj.
Ndërsa institucionet tona do të punojnë edhe më me përkushtim e vendosmëri, ndershmëri e përgjegjësi drejt përmbushjes së të gjitha kritereve për realizimin e ëndrrës sonë të kahmotshme – integrimin e plotë të Republikës së Kosovës në shtëpinë e përbashkët evropiane.
Pa Kosovën mozaiku i familjes së bashkuar evropiane nuk mund të quhet i plotësuar, sikundër as vetë ideja mbi të cilën qëndrojnë themelet e Bashkimit Evropian.