Sot bëhen 22 vite nga masakra në fshatin Studime të Vushtrrisë ku mbetën të vrarë nga forcat ushtarake të Serbisë, 116 martirë, në mesin e tyre fëmijë, gra dhe pleq. Familjarë i njohin kriminelët e kësaj masakre me emër dhe po kërkojnë drejtësi për më të dashurit e tyre.
Për të nderuar këta martirë në Studime sot erdhi edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Galuk Konjufca, ku tha se drejtësia i ka munguar qe 22 vite qytetarëve të fshatit Studime dhe të gjithë Kosovës.
“Këtu në Studime për të nderuar martirët e renë para 22 viteve e të vrarë nga forcat ushtarake, policore e paramilitare të shtetit të Serbisë. Masakra e Studimës është një akt i gjenocidit që e ka bërë Serbia mbi popullin shqiptar të Kosovës, 116 shqiptarë janë vrarë prej forcave të Serbisë duke mos kursyer as fëmijët, as gratë e as pleqtë, që tregon se qëllimi i qartë. Qëllimi ka qenë shfarosja e popullit shqiptar të Kosovës, shumicën duke i dëbuar prej Kosovës, një pjesë të madhe duke i vrarë dhe masakruar për të shkaktuar tmerr mbi popullin e Kosovës, që në fund të serbizohej Kosova, që të spastrohej etnikisht…”
“Ne përveç që kemi pikëllimin që i kemi humbur më të dashurit tanë, një pjesë e madhe e popullit të Kosovës e ka edhe zemërimin për shkak që nuk ka pasur drejtësi këto 22 vite për këtë gjenocid që e ka përjetuar edhe populli i Studimes, i Vushtrrisë dhe krejt populli shqiptar i Kosovës”, tha ai.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se familjarët e mbijetuar janë të gatshëm të dëshmojnë, pasi i njohin kriminelët e Masakrës së Studimes me emra.