Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka përkujtuar sot 19 anëtarët e familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu dhe Gashu, të cilët u vranë nga paramilitarët serbë më 1999, njofton Llapi.info.

Në një postim në Facebook, i pari i Kuvendit ka shtuar se për këto krime të kryera mbi popullatën civile, siç ka thënë ai, ende nuk ka drejtësi.

“Le t’i kujtojmë me pikëllim dhe krenari edhe 19 anëtarët e familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu e Gashi nga Podujeva, si dhe 21 martirët e Matiqanit të Prishtinës, të cilët u vranë po më 28 mars të vitit 1999. Për këto krime të gjenocidit të Serbisë mbi popullin tonë ende nuk ka drejtësi. Kurse Serbia udhëhiqet nga një person i cili para një jave tha se Milosheviqi nuk ka bërë asnjë krim. I përjetshëm qoftë kujtimi për të gjithë të rënët për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Konjufca në Facebook.

Sot janë bërë 23 vjet nga masakra në familjen Bogujevci dhe Duriqi në Podujevë, ku paramilitarët serbë shuan 14 anëtarë civilë.

Pushkatimin e mbijetuan me plagë të rënda pesë fëmijë: Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci./Llapi.info