Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka vizituar sot disa vatra të rezistencës çlirimtare në Kosovë dhe nderoi dëshmorët e martirët e rënë për lirinë e vendit tonë, me rastin e Ditës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut, raporton Llapi.info.

I pari i Kuvendit ditën e filloi me nderime në Prekaz, te varri i Komandantit Legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Adem Jashari, për të vazhduar më pas në Kompleksin Memorial në Morinë.

Pasi vendosi lule dhe nderoi të rënët, kryetari i Kuvendit vazhdoi për në Gllogjan, për të bërë homazhe në Kompleksin “Dëshmorët e Kombit”.

Nderimin për heronjtë, kryekuvendari Konjufca e përmbylli në Kompleksin Memorial “Zahir Pajaziti” në Orllan, duke vendosur lule pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti. Nga Podujeva, kryeparlamentari ka thënë se themelet e lirisë dhe shtetit qëndrojnë mbi sakrificën e dëshmorëve.

“Sakrifica sublime e dëshmorëve të kombit qëndron e shenjtë në themelet e lirisë. Pa luftën e tyre për liri, ne nuk do ta kishim shtetin tonë e as pavarësinë. Është obligim institucional t’i nderojmë e t’i kujtojmë të rënët për liri. Ata kanë rënë në të kaluarën por nuk janë pjesë e së shkuarës, por janë shumë aktualë”, theksoi ai./Llapi.info