Kryeparlamentari Glauk Konjufca thotë se është informuar se organet përkatëse janë angazhuar maksimalisht për ta zbardhur plotësisht rastin e aksidentit të mbrëmshëm te Liqeni i Ujmanit, në të cilin vdiqën tre të rinj.

Konjufca ka bërë thirrje për “kujdes të shtuar” gjatë kësaj kohe kur ka kushte të tilla të pafavorshme atmosferike.

“Me shumë dhimbje mora lajmin se në aksidentin e mbrëmshëm në Liqenin e Badocit kanë ndërruar jetë tre të rinj”.

“U informova se organet përkatëse janë angazhuar maksimalisht me rastin për ta zbardhur atë në plotni. E në të njëjtën kohë, i bashkohem thirrjes për kujdes të shtuar gjatë këtyre kushteve të pafavorshme atmosferike që shtojnë rreziqet përgjatë lëvizjes me mjete automobilistike”, shkroi Konjufca në një postim në Facebook.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të tre të rinjve.

“Duke bashkëndier me dhimbjen e familjarëve, si dhe miqve të viktimave, shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e tyre dhe shpresoj të gjejnë forcën për të përballuar këtë tragjedi tronditëse. U prehshin në paqe!”, shkroi Konjufca.