“Presidenti Thaçi e kidnapoi procesin e dialogut, pasi këtë proces gjithmonë e ka udhëhequr qeveria. Thaçi e shpalli vetveten si drejtues, pa e pyetur askënd. Ne mendojmë t’ia tregojmë vendin”.

Lëvizja Vetëvendosje e ka ndërmend ta padisë presidentin.

Glauk Konjufca ka deklaruar se Hashim Thaçi s’është njeri kredibil dhe as nuk është brenda kompetencave të tij kushtetuese që të udhëheqë me dialogun me Serbinë.

“Vetëvendosja do t’ia bëjë një padi Thaçit pasi ajo çfarë po bën Thaçi është shkelje e Kushtetutës. Nuk ka bazë kushtetuese ajo çfarë po bën ai. Ai bën përfaqësim simbolik dhe jo negocim të marrëveshjeve ndërkombëtare”, ka pohuar Konjufca.

“Ne mendojmë t’ia tregojmë vendin që e ka presidenti në Republikën Parlamentare. Parlamenti duhet të formojë një grup e bashkë me grupin platformën që tregon se çka është e panegociueshme për Kosovën”.

Konjufca e ka përshkruar Thaçin si “përçarës brenda e kompromisaxhi jashtë”.

“Presidenti Thaçi e kidnapoi procesin e dialogut, pasi këtë proces gjithmonë e ka udhëhequr qeveria. Thaçi e shpalli vetveten si drejtues, pa e pyetur askënd. Në Kosovë nuk ka ndodhur kurrfarë ndryshimi i kompetencave nga viti i kaluar. Presidenti Thaçi i ka po ato kompetenca që i ka pasur Atifete Jahjaga”.

“Kur ishte kryeministër ai takohej me Daçiqin, tani po ndryshon dialogu vetëm se Thaçi e ka ndryshuar postin e tij publik. Kjo është e papranueshme dhe duhet të ndalet nga partitë që ia duan të mirën Kosovës”.

“E patë se ai ia hoqi vijat e kuqe Serbisë. Tash duhet parlamenti t’ia vendos vijat e kuqe Hashim Thaçit. Duhet t’i tregojë se nuk është njeriu kredibil udhëheq me negociatat”.

“Duhet të vendoset një kornizë e interesave të Kosovës jashtë të cilave s’do të mund të dilte asnjëri që do negocionte me Serbinë”.

“Vija të kuqe ndaj Serbisë janë; Funksionaliteti i Kosovës. Ne më së shumti kemi nevojë për ta ndërtuar Kosovën nga brenda. Kjo do të jetë vija e parë e kuqe me Serbinë. Parlamenti duhet të thotë që Kosova çfarëdo procesi nuk mund të pranojë kurrfarë autonomie dhe kurrfarë Zajedinice ekzekutive”.

“E dyta është që nuk duhet të ketë ndarje të Kosovës, kurrfarë copëtimi e as shkëmbim territorial”.

“Thaçi po e thotë në mënyrë implicite se po shkon në bisedime për t’i bërë koncesione të majme Serbisë. Ai e ka veç një qëllim; se si t’i fasadojë koncesionet me Serbinë. Si t’ua japë një fasadë të bukur e të pranueshme”.