Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ka bërë homazhe në Nabërqjan të Pejës, për të nderuar jetën dhe veprën e të rënëve të këtij lokaliteti, të vrarë nga forcat ushtarake e policore serbe.
Pasi vendosi lule në kompleksin memorial të të rënëve të Nabërgjanit, ai iu drejtua familjarëve të tyre, duke iu thënë se shteti ynë nuk do të ishte ndërtuar pa kontributin dhe sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve tanë.
Duke kujtuar ngjarje dhe momente të ndërhyrjes së NATO-s për të parandaluar gjenocidin e forcave serbe në Kosovë, Konjufca tha se aktet gjenocidale të Sebisë janë të pafalshme dhe se drejtësia do të kërkohet deri në fund.
Ndër të tjera, i pari i Kuvendit theksoi se kërkimi i vazhdueshëm i drejtësisë është çështje prioritare e institucioneve të shtetit dhe se çdo hap i bërë në këtë drejtim është përmbushje e amanetit të të gjithë të rënëve për liri dhe pavarësi.
Po ashtu, Konjufca theksoi se dëshmorët dhe martirët e shtetit tonë janë themeli i lirisë që e gëzojmë sot, andaj memoria kolektive për historinë e dhimbshme në të cilën ka kaluar Kosova, duhet të ruhet dhe të mbrohet fuqishëm.
“Zemrat tona qetësohen dhe të rënët tanë prehen, vetëm atëherë kur drejtësia vihet në vend”, theksoi kryekuvendari Konjufca, pas dëgjimit të rrëfimeve nga të afërmit e të rënëve nga Nabërgjani i Pejës.