Konkursi i fundit i hapur për punëtorë në Zyrën e Gjendjes Civile në Drejtorinë e Administratës në Komunën e Podujevës po dyshohet se është bërë në bazë të bindjeve politike, raporton Llapi.info
Në këtë konkurs të hapur më 13 maj nga Drejtoria e Administratës kërkohej punëtorë për Zyrën e Gjendjes Civile. Mirëpo, në këtë konkurs janë hedhur dyshime nga opozita se është bërë mbi baza partiake.
Pikërisht kjo çështje është ngritur nga këshilltari i VV-së, Fitim Haziri në seancën e rregull të mbajtur në Kuvendin Komunal të Podujevës.
Sipas tij, në këtë pozitë nga tre të ftuarit është edhe një anëtar dhe delegat i LDK-së nga fshati Letanc.
Sipas Hazirit, në këtë konkurs nuk është bërë e ditur numri i pikëve në testin e mbajtur, por renditja është bërë, siç ka thënë ai, vetëm në bazë të alfabetit.
“Më 13 maj 2019, është hapur një konkurs për plotësimin e tri pozitave për shërbyes civilë. Më 13 qershor është bërë publike lista e atyre që e kanë kaluar testin me shkrim, në këtë listë s’janë bërë publike pikët e testit me shkrim, por renditja është bërë në bazë të alfabetit. Tre janë dalë prej tyre që kanë fituar pozita, ku njëri prej tyre është anëtar i kryesisë së LDK-së dhe delegat i nëndegës së Letancit. Këtu po vërehet se është një jo-transparencë”, ka thënë Haziri duke adresuar pyetje tek drejtori i Admnistratës, Gëzim Naman, mirëpo që nuk mori përgjigje nga foltorja e Kuvendit Komunal të Podujevës./Llapi.info