Në Kuvendin e Kosovës u konstituua Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, raporton Ekonomia Online.
Kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj nga AAK-ja, tha se do të punojnë që ky komision të jetë shembull i bashkëpunimit në të mirë të qytetarit.
“Duhet te jete shembull i mire i bashkëpunimit pa dallime partiake se prek qytetarin mirëqenien e tij. I kemi njerëzit të devotshëm të shëndetësisë. Mendoj që është fillim i mirë i një suksesi të mëtutjeshëm të këtij komisioni”, tha ajo.
Nënkryetari i komisionit nga radhët e LDK-së, Haxhi Avdyli tha se edhe në mandatin e kaluar ky komision ka funksionuar mirë dhe kërkoi nga anëtarët e rinj që të vazhdojnë me trendin e njëjtë.
“Duke u bazuar në përvojën komisionit në mandatin e kaluar ku kemi pas debate e bashkëpunim kjo praktike, shpresoj të vazhdohet edhe në këtë mandat në të mirë të qytetarit e përmirësimit te kushteve të sistemit shëndetësor”, tha Avdyli.
Uran Ismajli, nga PDK-ja tha se të qenurit ministër i Shëndetësisë për dy vjet, do t’i ndihmojë që të japë kontributin edhe në këtë komision.
“Për dy vite kam qenë ish ministër. arsyeja ime ka qenë të jap një kontribut në këtë komision . Mbetet me sfida !një sektor që na takon të gjithëve. Sëmundja s’ka librezë partiake. Ta gjejmë një frekuencë që mbajmë qeverinë përgjegjëse qoftë për të mirat apo të këqijat”, tha ai.
Edhe Laninotë Demi-Murtezi, nga VV-ja tha se secili anëtar i këtij komisioni të zhvishet nga petku partiak dhe të jap kontribut në të mirën e qytetarëve.
“Keni mbështetje për të gjitha iniciativat e mira që synohen si komision të bëjmë më të mirën për qytetarët me e pakta qe ne premtojmë në fillim. Gatishmëria ime pa ndonjë orar të caktuar për të avancuar punën e komisionit”, tha ai.
Anëtarët e këtij komisioni diskutuan edhe për Coronavirusin, ku thanë se duhet të ftohen në komision drejtuesit e institucioneve përgjegjëse, duke përfshirë edhe ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitinë për të dhënë informacione shtesë rreth situatës dhe parapërgatitjes kundër këtij virusi.
“Mbledhjen tjetër të vizitojmë QKUK, përgjegjësit IKShP-në dhe të rekomandojmë ministrin e Shëndetësisë dhe ministrinë e Jashtëm që të jenë të përgatitur”, tha kryetarja Albena Reshitaj.
“Brenda kësaj jave një takim me drejtorin e ShSKUK-së, IKShP-së, infektives dhe policisë kufitare dhe mundemi t’i ftojmë në komision përpara vizitës”, tha Bekim Haxhiu.
Ish-ministri Uran Ismaili tha se nuk është mirë që të shkohet atje për vizitë, për shkak të sigurshmërisë.
“S’na takon të futemi në ato ambiente nëse ka karantine, pjesën administrative po. Ish dashur të mendohet a ia vlen me thirr ministrinë apo vetëm institucionet tjera. Mos të anashkalojmë një të emëruar”, tha ai.
Komisioni për shëndetësi dhe mirëqe nie sociale përbëhet nga 9 anëtar, Albena Reshitaj AAK, Haxhi Avdyli LDK, Labinotë Demi-Murtezi VV, Fitim Haziri VV, Fitim Uka VV, Ekrem Hyseni LDK, Uran Ismaili PDK, Bekim Haxhiu PDK, Miloś Perović Lista Serbe, Miranda Sopi-Krasniqi Aleanca Kosova e re.