Komuna e Podujevës ka kryer procedurat e prokurimit e tenderëve për asfaltimin e rrugëve në disa fshatra të kësaj komune, raporton Llapi.info.

Sipas kësaj kontrate, asfaltimi do të kryhet në Llaushë, Shtedim, Dumosh, Lladoc, Miroc, Lupç, Majac dhe Popovë.

Për asfaltimin e rrugëve në këto tetë fshatra, Komuna e Podujevës ka planifikuar t’i shpenzojë 443 mijë 306 euro. Tenderët janë hapur kohë më parë, ndërkohë që tashmë janë dhënë edhe kontratat për fillimin e punimeve.

Në asfaltimin e rrugëve në fshatin Llaushë dhe Shtedim është dhënë kontrata për 94 mijë e 530 euro, tender ky i cili ka qenë më i liri.

Kurse, asfaltimi i rrugëve në fshatrat Dumosh, Lladoc dhe Miroc është nënshkruar kontrata më e lirë për 110 mië e 256 euro.

Ndërkaq, për asfaltimin e rrugëve në fshatrat Lupç, Majac dhe Popovë është nënshkruar kontrata për 128 mijë 428 euro.

Komuna e Podujevës, e cila është nën qeverisje të Lëvizjes Vetëvendosje, ka hapur disa tenderë për asfaltimin e rrugëve në disa fshatra. Por, buxheti për vitin 2021 është miratuar në kohën kur LDK qeveriste me këtë Komunë.

Në anën tjetër, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje vazhdimisht patën kritikuar ish-qeverisjen e LDK-së se buxheti më së shumti orientohet në asfalt, duke lënë anash sektorin e arsimit dhe shëndetësisë./Llapi.info