Kishin ardhur për pushime në vendlindje, por me datën 8 korrik të këtij muaji, në Duhël të Suharekës, kishin humbur jetën tragjikisht në një aksident trafiku, një familje 5 anëtarësh, e në mesin e viktimave, ishin edhe dy fëmijë. Një i ri 20 vjeçar, nga Mitrovica, po ashtu kishte humbur jetën në një aksident trafiku. Gruaja që i kishte shpëtuar dy infarkteve në zemër dhe operacionit që kishte zgjatur 13 orë, deri sa po kthehej nga spitali ku ishte nisur për në shtëpi, humbi jetën në aksident trafiku në Gllarevë të Klinës, bashkë me të shoqin dhe vëllain. E këto janë vetëm disa nga aksidentet që kanë ndodhur gjatë korrikut në vendin tonë, duke e çuar në 15 numrin e viktimave të aksidenteve për këtë muaj.
Policia e Kosovës gjatë gjithë kohës ka paralajmëruar qytetarët që të kenë kujdes të shtuar gjatë vozitjes, madje ka formuar një task-forcë, për të parandaluar aksidentet e trafikut.
“Gjatë këtij muaji, në aksidente trafiku kanë humbur jetën 15 persona, nga 9 aksidente trafiku me fatalitet”, ka thënë Policia e Kosovës për Gazetën Express.
Numri i madh i aksidenteve, shpesh herë rrjedh nga problemet teknike të makinave, kushtet atmosferike, por edhe nga pakujdesia e drejtuesve të automjeteve.
Ndërsa aksidentet nuk kanë të ndalur, Policia e Kosovës vazhdon të apelojë tek qytetarët që të bëjnë kujdes, të mos shmangin rregullat e komunikacionit, si dhe të kenë parasysh se jeta e çdo njeriu vlen më shumë se çdo gjë tjetër.