Argjipeshkvia e Rashkë – Prizrenit ka theksuar se e përkrah vendimin e Kuvendit të Shenjtë argjipeshkvor të Kishës Ortodokse Serbe të majit të këtij viti në të cilin thuhet se Kosova dhe të gjitha kishat e saj ortodokse, 1500 sosh, janë pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, ndërsa ka shtuar se ndarja e Kosovës pjesën më të madhe të serbëve do ta linte në mëshirën dhe në pamëshirën e shqiptarëve, transmeton Koha.net.
“Ruajtja e kësaj pjese të vendit tonë nuk është çështje e ideologjisë nacionaliste ose e mitologjisë dhe as e territorit, por është thelbi i qenies sonë kishtare e ekzistenciale, të cilin populli i Zotit e ka ruajtur me shekuj për ne këtë territor”, thuhet në këtë apel që e përcjell b92.
Aty theksohet se ruajtja e Kosovës si pjesë integrale të Serbisë është në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e OKB-së, nuk do të thotë konfrontim me botën por riafirmim i qëndrimit se pa respektimin e të drejtave dhe lirisë së një populli, identitetit dhe kulturës së tij, nuk ka zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjate.
Argjipeshkvia ka ftuar përfaqësuesit e Serbisë e të bashkësisë ndërkombëtare që, siç ka thënë, kishës dhe popullit në Kosovë t’i mundësohet jeta e qetë dhe mbijetesa si dhe ruajtja e objekteve të shenjta në mënyrë që të vazhdojë ekzistimi i Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.