Kosova së shpejti do ta ketë një tunel të ri e që do ta lidhë atë me Malin e Zi nga Peja në Rozhajë.
Kjo gjë u bë e ditur nga ministrat e Kosovës dhe Malit të Zi që merren me çështje infrastrukturore.
Ishte ministri malazez, Osman Nurkoviq, i cili së pari përmendi lidhjet e Mali të Zi me Kosovën, e një prej të cilave del të jetë me tunelin Pejë – Rozhajë.
“Ne u pajtuam që të ndërtohet një tunel që do të lidhë Pejën me Rozhajën. Idenë e kemi të gatshme, tash duhet të merremi vesh”, ka thënë Nurkoviq.
Ndërkaq, edhe ministri Pal Lekaj e ka konfirmuar këtë gjë, duke thënë se kanë nisur punët për të kryer studimin e fizibilitetit.
“Po, jemi pajtuar rreth këtij projekti. Po bëhet fizibiliteti me intensitet të lartë. Na ka mbetur të shohim se si do ta realizojmë këtë projekt”, ka thënë Lekaj.
Ndërkohë, ministrat bënë të ditur se u pajtuan që Kosova e Mali i Zi të lidhen edhe në rrugën Deçan-Plavë, e po ashtu edhe me anë të autostradës Pejë-Rozhajë.
Ndryshe, kosovarët përdorin Shqipërinë si vend transit për të shkuar në Mal të Zi, pasi rrugët aktuale që lidhin direkt këto dy vende, janë të vështira.