Ushtruesja e Detyrës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Arbëreshë Krasniqi ka nënshkruar marrëveshje me Agjencinë Japoneze të Turizmit, për lehtësimin e zhvillimit ekonomik dhe për rritjen e potencialit të turizmit në të dy vendet.

Krasniqi tha se Kosova është e përkushtuar që të zgjerojë raportet me partnerët strategjikë, siç është Japonia, prandaj dhe është iniciuar dhe finalizuar nënshkrimi i marrëveshjes me Agjencinë Japoneze e Turizmit.

“Kjo marrëveshje do të ketë impakt shumë pozitiv për shtetin e Kosovës dhe njëkohësisht hap mundësi të reja për të dyja vendet, sidomos në fushën e turizmit. Po ashtu kjo marrëveshje është një eksperiencë e re për Republikën e Kosovës sepse do të ketë shkëmbime të materialeve të ndryshme dhe përvojave në turizëm dhe do të lehtësojë komunikimin në mes të dyja vendeve”, ka thënë ajo.

Po ashtu Kosova është duke u prezantuar në panairin e turizmit në Japoni nga Agjencia për Promovimin e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme, (KIESA), në kuadër të MTI-së, panair ky që synohet të promovohet turizmi i Kosovës dhe potencialin që e ofron Kosova.

Në këtë panair po marrin pjesë 2 kompani të Kosovës që janë përzgjedhur nga KIESA.

Krasniqi tha se panairi është mundësi e mirë për t’iu treguar investitorëve Japonez për mundësitë që ofron Kosova në fushën e turizmit dhe investimeve.

“Jemi të interesuar qa ta thellojmë bashkëpunimin ekonomik, dhe jemi të interesuar që të kemi rritje të turistëve nga Japonia në Kosovë”, tha Krasniqi.