Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim kryetarin e Partisë Demokratike Shqiptare, Menduh Thaçi, me të cilin bisedoi për zhvillimet politike dhe tema tjera të rëndësishme për të dyja vendet.
Në këtë takim, Haradinaj përshëndeti rekomandimin për hapjen e negociatave për Maqedoninë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se kjo është e rëndësishme për perspektivën evropiane të rajonit.
Po ashtu, kryeministri e njoftoi Thaçin për të arriturat në Kosovë, për rrugën integruese të Kosovës në BE dhe në NATO, duke theksuar se përkrahja e Maqedonisë në këto procese është e nevojshme për Kosovën.
“Kosova dhe Maqedonia janë shembull se si dy shtete fqinje tregojnë marrëdhënie të mira dhe partneritet të mirë ekonomik dhe politik dhe ky shembull duhet të shërbejë edhe për vendet tjera të rajonit, në mënyrë që në Ballkan të ketë paqe të qëndrueshme”, tha kreu i ekzekutivit kosovar.
Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi, falënderoi Haradinajn për pritjen dhe angazhimin për marrëdhënie të mira bilaterale mes dy vendeve, duke theksuar mundësinë e thellimit të raporteve në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.