Aktualisht lidershipi politik në Kosovë dhe në Serbi më tepër janë të angazhuar në vendosjen e marrëdhënieve normale në mes dy shteteve, sesa për një pajtim ndërmjet dy popujve, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Bekim Blakaj, drejtor ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë. Ai shpreh mendimin se udhëheqësit politikë të dy vendeve, duhet të shmangin retorikën, e cila ushqen urrejtjen ndemjet dy popujve. Gjithashtu, sipas tij, mungon vullneti politik, sidomos në Serbi, për zbardhjen e fatit të peronave të pagjetur. Ndërkaq, siç ka theksuar ai, nga Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë po pritet që të japë drejtësi për viktimat.
Radio Evropa e Lirë: Z. Blakaj, pas afër dy dekadave që nga mbarimi i luftës, tani në instancat politike flitet për një pajtim të mundshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sa e shihni të mundur një pajtim mes këtyre dy vendeve dhe cilat do të ishin parakushtet e arritjes së një pajtimi të dëshiruar?
Bekim Blakaj: Mendoj se në këtë rast bëhet
fjalë më shumë për vendosjen e marrëdhënieve normale në mes dy shteteve. Pra, nuk është një pajtim në kuptimin e plotë të fjalës. Pajtimi është diçka që duhet të ndodhë në mes dy palëve të armiqësuara. Besoj që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka të bëjë më shumë për vendosjen e raporteve normale në mes dy shteteve. Nëse flasim për pajtim pas luftës apo konfliktit të armatosur, i cili ka ndodhur pothuajse para dy dekadave, atëherë duhet investohet pak më shumë se sa që është investuar deri më tani. Ajo çfarë dua të them është se ajo luftë ka prodhuar një numër të madh të viktimave, të vuajtjeve. Kemi një numër të madh të personave të zhdukur, të vrarë, familjet e të cilave nuk kanë parë drejtësi.
Në këtë kontekst, për të arritur deri te një pajtim në mes dy popujve apo dy shteteve, duhet që të zbatohen mekanizmat e drejtësisë tranzicionale, sa më shumë që është e mundshme të ndiqen penalisht ata që kanë bërë krime, nga të dyja palët, të ofrohet drejtësi për viktimat, të pranohen viktimat si të tilla nga të gjitha anët dhe të ketë një lloj dëmshpërblimi, reparacioni ndaj viktimave, qoftë material e sidomos simbolik. Pra, të kërkohet falje për ato viktima, të ngrihen memoriale të ndryshme dhe kjo mendoj që kishte për të sjellë deri te fillimi i atij procesi të pajtimit. Nëse diskutohet, nëse arrihet deri te një marrëveshje politike, ku Serbia eventualisht do të pranonte Kosovën si shtet dhe do të vendoseshinmarrëdhënie në mes të dy shteteve, unë nuk mendoj që ky është bash pajtimi, për të cilin ne po flasim. Kjo është vendosje e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.
Radio Evropa e Lirë: A mendoni se do të duhej që politikanët të ndikonin në mentalitetin e të dy popujve, pikërisht, që të paktën të mos kultivohet urrejtja?
Bekim Blakaj: Mendoj që politikanët, udhëheqësit politikë, mund të ndikojnë jashtëzakonisht negativisht në krijimin e njëfarë narracioni tek populli, të cilin e përfaqësojnë këta politikanë, sepse nëse këta shfrytëzojnë një gjuhë të urrejtjes, atëherë gjithsesi që kjo do të reflektojë edhe te qytetarët.
Radio Evropa e Lirë: A po ndodhë kjo?
Bekim Blakaj: Për fat të keq, kemi parë gjatë gjithë kësaj periudhe, viteve të fundit, në mënyrë periodike janë ngritur zërat e urrejtjes nga përfaqësues politikë. Zaten, më shumë kanë ardhur nga Serbia dhe kjo automatikisht ka ndikuar te qytetarët në ngritjen e tensioneve, paragjykimeve ndaj palës tjetër dhe kështu me radhë. Por, ky është një lloj keqpërdorimi klasik i politikanëve, keqpërdorim i pozitës së tyre që të ndikojnë në krijimin e disa opinioneve publike, të cilat janë pak më agresive. Nëse politikanët do të përdornin një gjuhë tjetër dhe do të dërgonin mesazhe, të themi, të pajtimit, atëherë kjo gjithashtu do të reflektonte te shumica e qytetarëve. Sigurisht që një pjesë që janë më radikalë, gjithsesi që do ta ngritin zërin kundër këtyre porosive pajtuese. Mirëpo, shumica do të reflektonin dhe do të zbriteshin paragjykimet.
Radio Evropa e Lirë: Një nga plagët e luftës është edhe fati i pazgjidhur i të pagjeturve. Në Kosovë, ka mbi 1600 persona të pagjetur të luftës. Çfarë mund të bëjnë në këtë fazë të dyja vendet që të ndriçohet fati i tyre?
Bekim Blakaj: Viteve të fundit ky proces ka stagnuar tërësisht. Në vitin 2015, për herë të fundit, është hapur varreza masive, e cila është gjetur në territorin e Serbisë, në Rudnicë, ku janë gjetur 54 trupa të civilëve shqiptarë. Nga atëherë, janë gjetur disa mbetje individuale, por nuk ka fare përparim. Ne në Fondin për të Drejtën Humanitare në Kosovë, mendojmë që duhet të ketë informacione për vendndodhjen e varrezave masive tjera të mundshme, qoftë në Serbi apo në Kosovë ose për asgjësimin e disa mbetjeve mortore. Këto informacione duhet t’i posedojnë edhe institucionet. Vetë fakti që kjo varrezë masive në Serbi është zbuluar 15 vjet pas luftës, e bën të qartë se autoritetet kanë pasur informacione për vendndodhjen e saktë të kësaj varreze dhe kjo tregon që kanë pritur një moment të caktuar që t’i japin ato informacione. Ne mendojmë që duhet të ketë prapë informacione.
Megjithatë, 1 mijë e 600, është një numër shumë i madh dhe domosdo autoritetet (serbe) duhet të kenë informacione për këtë. Pra, për t’u zbardhur fati – ndoshta kurrë nuk do të zbardhet i të gjithëve – por i një pjesë dërmuese e këtyre 1 mijë e 600 personave, duhet të ketë një vullnet politik, mendoj në nivel shumë të lartë. Ekziston një grup punues i përbërë nga të dyja palët, serbë dhe kosovarë, të cilët takohen për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur, por ai është i nivelit goxha të ulët dhe ata nuk mund të bëjnë më shumë se sa që kanë bërë deri më tash.
Pra, duhet një vullnet politik për t’u zgjidhur kjo çështje. Kjo ka qenë njëra prej arsyeve që neve na ka shtyrë, në disa vitete e fundit, që të nxjerrim një rekomandim në raportet tona, që si temë e dialogut në nivelin e lartë politik – tash pritet edhe që presidentët e dy shteteve të vazhdojnë dialogun – të futet tema e personave të zhdukur dhe gjithashtu edhe e drejtësisë. Pra, të vendoset një lloj bashkëpunimi ndërmjet prokurorive në Serbi dhe në Kosovë që të procedohen lëndët për krime lufte. Ne mendojmë, dhe jemi goxha të bindur, që vetëm me një lloj bashkëpunimi në nivelet më të larta politike mund të zvogëlohet numri i personave të zhdukur. Pra, të ketë identifikime të personave që janë të zhdukur. Ne nuk e kemi parë një vullnet të tillë. E pse nuk ka vullnet politik, besoj që shumë njerëz, të cilët janë në qarqe politike në Serbi, por mund të ketë edhe në Kosovë të tillë, kanë frikë që po të zbulohen disa varreza masive, atëherë do të ketë pasoja dhe se dikush do të jetë përgjegjësi penale, do të ketë procese gjyqësore për këto çështje. Prandaj, më me dëshirë i mbajnë të fshehura ato informacione.
Radio Evropa e Lirë: Tashmë është paralajmëruar që Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, e njohur si Gjykata Speciale për krime të luftës në Kosovë, do të nisin me proceset e para këtë vit. Cilat janë pritjet e juaja lidhur me fillimin e punës së kësaj gjykate?
Bekim Blakaj: Po shpresoj që vërtetë gjatë këtij viti – sa më herët aq më mirë – do të fillojnë procedurat penale, respektivisht, do të kemi ato aktakuzat e para, për të cilat është duke u folur qysh prej vitit 2015. Mendoj që bërja publike e aktakuzave është prolonguar për një kohë të gjatë dhe jemi në pritje, pothuajse qe dy vjet, që të fillojnë këto procese. Mirëpo, ishin disa faktorë dhe një ndër ta ishte edhe dorëheqja e prokurorit (David)Schwendiman. Arsyetimi zyrtar është se ka arritur një moshë të pensionit e kështu me radhë dhe tani, prokurorit të ri që ka ardhur, që e ka zëvendësuar atë, do t’i duhet një kohë që t’i analizojë krejt ato materiale që i ka prokuroria.
Po shpresoj që do të kemi së shpejti aktakuzat e para. Nëse bazohemi në atë se çka ka deklaruar më herët ish-udhëheqësi i Task Forcës Speciale Hetuese, (Clint) Williamson, presim aktakuza për krime serioze që pretendohet që kanë ndodhur, jo domosdo krime lufte, por mund të jenë edhe krime kundër njerëzimit, pra, të kryera pas përfundimit të luftës. Mbetet të shohim. Ajo që kam dëshirë është që së paku një numër i caktuar i viktimave, megjithatë, të shohë drejtësinë nga këto Dhoma të Specializuara.
Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, që nga përfundimi i luftës në Kosovë, tashmë kanë kaluar 19 vjet. A prisni efikasitet të kësaj gjykate, marrë parasysh që ka kaluar kohë e gjatë nga zhvillimet që kanë ndodhur gjatë luftës?
Bekim Blakaj: Ju keni të drejtë, sepse me kalimin e kohës, këto procese gjyqësore do të jenë më të komplikuara. Për prokurorinë do të jetë shumë më e vështirë që t’i dokumentojë krimet e pretenduara. Dëshmitarët – për fat të keq natyra e bën të veten – vdesin, plaken dhe shumë prej tyre sigurisht që edhe u zbehen pak kujtimet. Pra, është goxha e vështirë që të organizohet një gjykim për një krim të pretenduar që ka ndodhur dy dekada ma herët. Megjithatë, unë besoj që prokuroriaështë përgatitur mirë dhe do të shohim prova.
Diçka që na ka bërë përshtypje, që na ka rënë në sy, është që edhe pse është përfolur thuajse në bazë ditore në këto vitet e fundit në Kosovë, se kush do të jetë i akuzuar, për cilin krim dhe kështu me radhë, ne megjithatë nuk dimë asgjë se kush mund të jenë të akuzuarit, për cilat krime dhe si rrjedhojë e kësaj, nuk mund ta dimë as kush mund të jenë dëshmitarët e mundshëm. Kjo tregon që, po besoj unë, që Dhomat e Specializuara, respektivisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar, kanë qenë shumë të kujdesshëm në mbrojtjen e identitetit të dshmitarëve. Kjo tregon që ndoshta e kanë mësuar leksionin edhe nga Tribunali i Hagës dhe janë siguruar mirë që nuk do të ketë ndonjë ndikim tek dëshmitarët. Pra, rrjedhimisht, po besojmë që megjithatë prokuroria është e gatshme që t’i dokumentojë krimet e pretenduara, për të cilat do të ngrihen aktakuzat.