Drejtoria Kundër Terrorizmit e Policisë së Kosovës sot ishte nikoqire e takimit trepalësh të përfaqësuesve të drejtorive antiterror të policive të Italisë dhe asaj të Shqipërisë.

Ky takim, siç theksohet në komunikatën e Zyrës për Informim të PK-së, vjen si rezultat i takimeve të mëhershme të realizuara në Itali dhe në Shqipëri, në kuadër të vlerësimit të kërcënimeve aktuale dhe vazhdimit të bashkëpunimit të ndërsjellë në mes të tri organizatave policore.

Takimin e përshëndeti edhe Drejtori i Përgjithshëm i PK-së z. Rashit Qalaj, i cili ndër të tjera tha: “Duke marrë parasysh që terrorizmi si fenomen ka një shtrirje mjaft të gjerë, duke tejkaluar edhe kufijtë nacionalë, apo edhe rajonalë, asnjë vend si i vetëm nuk mund të jetë i suksesshëm në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit. E vetmja mënyrë që garanton suksese në këtë aspekt është bashkëpunimi dhe shkëmbimi me kohë i informacioneve, andaj edhe ne, si Polici e Kosovës, e vlerësojmë shumë lart këtë iniciativë të bashkëpunimit trepalësh, në mes të Policisë së Kosovës, Policisë Italiane dhe Policisë Shqiptare, që padyshim është e rëndësisë së veçantë për sigurinë e të gjitha vendeve tona, por edhe kontribuues në sigurinë rajonale, por edhe atë globale”.

Drejtori Qalaj në fund theksoi se bashkëpunimi në kuadër të këtij grupi, por edhe formave tjera të bashkëpunimit, do të ketë përkrahjen e plotë të Policisë së Kosovës si partner i rëndësishëm në sigurinë rajonale dhe atë globale dhe do të hapë shteg në rrugëtimin drejt anëtarësimit të plotë në mekanizma ndërkombëtarë të sigurisë. Ndër të tjera z. Qalaj kërkoi mbështetjen dhe përkrahjen e institucioneve përfaqësuese në përpjekjet për anëtarësim të PK-së në INTERPOL, gjatë asamblesë së përgjithshme në nëntor të këtij viti.

Gjatë takimit, të pranishmit u zotuan për bashkëpunim të ndërsjellë dhe përkushtim drejt avancimit në shkëmbimin e informacioneve, dhe mbështetjen ndërmjet partnerëve, me interesa të përbashkëta në parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie.