Qeveria e Kosovës ka aplikuar për pozitën e anëtarit vëzhgues në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik. Këtë e ka bërë të ditur Këshilltari i Behgjet Pacollit, Jetlir Zyberaj. Ka thënë se Shteti i Kosovës synon fuqizimin e pozicionit në secilën organizatë të rëndësishme ndërkombëtare.
“Pas anëtarësimit në Frankofoni si shtet vëzhgues, Kosova synon të fitojë status të tillë në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik me qëllim thellimin e bashkëpunimit me vendet anëtare dhe qasjes në fondet për zhvillim ekonomik, infrastrukturor dhe arsimor”, ka thënë Zyberaj, për Express, të dielën.
“Gjatë konferencës për Bashkëpunim Islamik u paraqit edhe Kanadaja me nivelin më të lartë. Pra, ngritja e këtij niveli të marrëdhënieve të Kosovës me OBI ka për qëllim që të funqizojë pozicionin e Kosovës siç e ka bërë në Frankofoni dhe aplikimi do të ndodhë në momentin me të përashtatshëm pasi të jenë ndjekur procedurat e brendshme”, ka shtuar ai.
Zyberaj ka thënë se Kosova synon që të marrë pjesë në aktivisht në të gjitha organizatat regjionale.
“Së fundmi pjesëmarrje të tillë, Ministri Pacolli pati në Komenwealth, në Londër, dhe synohet në nivele të tilla”, ka shtuar ai.
Por, dikush në Ministrinë e Punëve të Jashtme po e kundërshton çfarëdo anëtarësimi të Kosovës në OBI.
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gjergj Dedaj e ka kundërshtuar idenë e anëtarësimit të Kosovës në OBI.
“Jo, Kosova në OBI”, ka shkruar Dedaj.
Sipas zyrtarit të MPJ’së, Qeveria e udhëhequr prej Ramush Haradinajt po tenton të anëtarësohet në OBI.
“Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës, për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Botërore Islamike (OBI), një hap i nxituar dhe i dëmshëm, i cili rrezikon, cenon dhe neglizhon perspketivën euroatlantike të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Dedaj, shkruan Gazeta Express.
OBI numron 57 shtet anëtare, shumica e të cilëve janë vende me sistem shtetror islame, dhe prej tyre disa shtrihen në Lindjen e Mesme, në Veri, në Azinë Juglindore, Azinë Jugore dhe në Amerikën Jugore. Gjuhët zyrtare e OKI-së janë gjuha arabe, gjuha angleze dhe gjuha frënge. Kjo organizatë paraqitet si përfaqësuese e përgjithshme e botëkuptimeve islame në botë.