Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës po kërkojnë që çështja e kësaj treve shqiptare të përfshihet në kuadër të dialogut Prishtinë – Beograd, madje ata kërkojnë që Lugina të bashkohet me Kosovën. Megjithatë në Zyrën e Presidentit Thaçi thonë se në Bruksel do të kërkojnë të drejta për shqiptarët e tri komunave shqiptare në Serbi, por nuk thonë se do të kërkohet bashkimi i tyre me Kosovën.
Presidenca e Kosovës edhe një herë ka bërë të ditur se në bisedimet e Brukselit me Serbinë do të diskutohet edhe për çështjen e Luginës së Preshevës. Zyrtarë nga Presidenca i kanë thënë “Zërit” se aty do të adresohen probleme të shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët e Luginës, duke filluar nga respektimi i të drejtave elementare njerëzore e deri tek ato kombëtare e politike.
Në anën tjetër, liderët shqiptarë të Preshevës, të Medvegjës e të Bujanocit kanë kërkuar sërish që Lugina të bëhet pjesë e Republikës së Kosovës. Përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës Lindore i kanë thënë gazetës se edhe kjo pjesë e banuar me shqiptarë duhet të përfshihet në procesin e dialogut Kosovë – Serbi. Në anën tjetër, njohësit e çështjeve politike në Kosovë kanë vlerësuar se udhëheqësi i dialogut (nga pala kosovare), Hashim Thaçi, mund ta hedhë në tavolinë çështjen e Luginës më shumë për të treguar se nuk e ka të lehtë të bëjë ndonjë marrëveshje të dëmshme për Kosovën sesa që vërtet është i interesuar ta zgjidhë problemin e Luginës.