Në stadiumin “Fadil Vokrri”, Kosova ka humbur me rezultat minimal (0-1) nga Greqia, ndeshjen e dytë në Grupin 2 të Ligës C në Ligën e Kombeve.
Pas një imponimi të lojës nga vizitorët në minutat e para, Arbër Zeneli pati një mundësi të mrekullueshme për t’i kaluar vendasit në epërsi, mirëpo portieri mysafir e ndali goditjen e tij nga afërsia që ishte nga një kënd i vështirë.
Loja e mirë e Dardanëve vazhdoi edhe në vijim, para se të kishte një qetësi dhe një lojë më të vëmendshme, ndërkohë që Helenët përpiqeshin të ndërtonin aksione para portës së Aro Muric.
Të zgjedhurit e Alain Giresse respektonin udhëzimet e trajnerit me lojë taktike duke pritur gabimet e kundërshtarëve për të dalë në aksion dhe për të rrezikuar.
Njëherësh, loja ishte e bazuar edhe në aftësitë vetanake të futbollistëve të fazës së sulmit, të cilët prisnin shanset e tyre për të ndëshkuar.
Përkundër që Kosova dukej se po bënte lojë të sigurt, Anastasios Bakasetas pranoi një top nga Petros Mantalos dhe gjeti hapësirë për t’i kaluar grekët në epërsi (36’).
Në gjysmën e dytë, Dardanët luanin për ta barazuar rezultatin, derisa Helenët ishin të gatshëm për të ndëshkuar.
Derisa Milot Rashica dhe Edon Zhegrova u përpoqën të shënonin me goditje nga distanca, Muric e shpëtoi skuadrën duke ndalur ballë për ballë një lojtar kundërshtar.
Nga minuta e 72-të, Kosova luajti me një lojtar më pak në fushë, pasi Fidan Aliti u përjashtua me kartonin e dytë të verdhë. Ndërsa në minutat shtesë u përjashtua edhe Aro Muric.
Me gjithë angazhimin për ta gjetur golin, inferioriteti numerik ua pamundësonte nikoqirëve arritjen e objektivit të tyre.
Pas kësaj humbjeje, Kosova mbetet e dyta në Grupin 2 të Ligës C me tri pikë, dy më shumë se Irlanda e Veriut dhe Qiproja, ndërsa tri pikë më pak se tashmë lideri i grupit, Greqia.