Edhe pse po bëhen gati dhjetë ditë që kur ka përfunduar afati për dorëzimin e draftit të Asociacionit në Bruksel, ende nuk dihet nëse një gjë e tillë ka ndodhur.
Ekipi Menaxhues për hartimin e draftit të Asociacionit qeverinë e kanë informuar vetëm me disa raporte të punës.
Ministira e Administrimit dhe Pushtetit Lokal kishte konfirmuar se draft-statuti për Asociacionin do të dërgohet në kabinetin e kryeministrit, pasi të diskutohet në Bruksel.
Kjo ka ngjallur reagim nga partitë opozitare dhe shoqëria civile, e cila ka dilema se bashkësia e komunave me shumicë serbe do të formohet me kompetenca ekzekutive.
Por para disa ditësh shefi i ekipit të Kosovës për dialog teknik, Avni Arifi kishte thënë se në Bruksel drafti i Asociacionit do të prezantohet para palës kosovare dhe asaj serbe.
“Ekipi Menaxherial do të prezantojë draftin para Bashkimit Evropian, palës kosovare e serbe, pastaj do të shqyrtohet nga Qeveria e Kosovës. Se a është dorëzuar apo jo nuk mundemi ne me konfirmuar pasi është Bashkimi Evropian do të duhet ta bëjë një gjë të tillë. Sidoqoftë ne jemi gati kur do që na thirr BE-ja”, kishte thënë Arifi.
Por deri më sot në Kosova ende nuk është ftuar nga Brukseli për diçka të tillë. Të paktën kështu e ka konfirmuar Avni Arifi.
Shefi i ekipit të Kosovës për dialog teknik ka thënë për lajmi.net se ende s’kanë marrë ndonjë ftesë nga Brukseli, që të diskutohet për draftin e Asociacionit.
“Jo nuk kemi marrë ndonjë ftesë. Nuk dijmë ndonjë datë”, ka thënë shkurt Arifi.
Në anën tjetër qeveria e Kosovës disa herë është zotuar se bashkësia e komunave me shumicë serbe, do të formohet vetëm sipas Kushtetutës.
Madje është paralajmëruar që pas dorëzimit të draftit të Asociacionit në qeveri, ai do t’i përcjellet menjëherë Gjykatës Kushtetuese.