Kosova ka gjasa të merr rekomandim pozitiv për vizat, por pengesë për këtë mund te jenë disa shtete të Zonës Shengen, përfshirë këtu edhe Spanjën.
Kështu thuhet në raportin: “Rruga e gjatë e Kosovës për udhëtimin pa viza”, të publikuar nga Grupi Ballkanik i Politikave, pak ditë para se Komisioni Evropian të nxjerrë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Po bëhet një dekadë që kur heqja e vizave iu premtua qytetarëve të Kosovës, por megjithëkëtë kosovarët vazhdojnë të presin me muaj të tërë për t’u pajisur me viza.
Pikërisht për vizat, pak ditë para se Komisioni Evropian të nxjerrë rekomandimin për Kosovën, Grupi Ballkanik i Politikave, ka publikuar raportin: “Rruga e gjatë e Kosovës për udhëtimin pa viza”, në të cilin flitet edhe për rekomandimin të cili vendi do të merr këto ditë.
“Në fund të këtij muaji ose në fillim të muajit tjetër do të ketë një rekomandim, besoj pozitiv. Vonesat në raste të tilla nuk japin sinjale të mira, pasi që gjithmonë Komisioni Evropian, provon të konsultohet me shtetet anëtare, për dhënien e opinionit. Pra, nëse rekomandimi vonohet, mund të mos kemi lajme të mira”, tha Rashiti për Radio Kosovën.
Sipas Rashitit, Kosova edhe nëse merr rekomandim pozitiv për vizat, mund të ketë pengesa. Ai përmend disa nga shtetet të cilat sipas tij kanë shpreh skepticizëm në lidhje me këtë proces.
“Franca është në tërësi skeptike ndaj zgjerimit. Belgjika po ashtu si Franca, ka problem me azilkërkues dhe Holanda e cila ka një qëndrim shumë radikal për zgjerimin, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor”, pohoi ai.
Sipas Rashitit, pengesa mund të sjellë edhe Spanja, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Drejtori i Grupit Ballkanik Politikave, thekson se pritjet janë që në fund të këtij viti ose edhe në tre mujorin e parë të vitit të ardhshëm të merret vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Ai shton se nëse nuk ndodhë në këtë periudhë, Kosova mund të mos merr liberalizimin e vizave edhe vitin e ardhshëm, pasi që në pranverën e vitit 2019, organizohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian.