Cilësia e ndërtimit të rrugëve në Kosovë lë shumë për të dëshiruar. Me këtë problem, vendi ynë po përballet gjatë gjithë periudhës së pasluftës. Ekspertët e kësaj fushe konsiderojnë se problemi i mungesës së cilësisë qëndron te planifikimi i dobët dhe mos respektimi i standardeve. E zyrtarët e Ministrisë së Infrastrukturës për këtë fajësojnë Ligjin për Prokurimin Publik.
Dëmtimi i shpejtë i rrugëve dhe vonesat në riparimin e tyre po u shkaktojnë probleme të mëdha qytetarëve. Njëri ndër ta është Naim Gashi, i cili në punën e tij si auto-taksi, i bie që shumë shpesh të frekuentojë rrugën” Ali Pashë Tepelena” në Prishtinë. Ai thotë se është evidente se rrugët po ndërtohen, por shqetëson fakti se ato po dëmtohen brenda një kohe shumë të shkurtër. Ai i tha Radio Kosovës se me këtë problem përballet për çdo ditë.
“Dëmtimi i rrugëve po na pengon shumë, sidomos kur po nisin punimet, po zgjasin tepër shumë. Po ngarkohet komunikacioni, mandej po shkaktohen vonesa dhe po ndodh dëmtimi i veturave. Me të vërtetë dëmtimi i rrugëve po na sjellë probleme të mëdha”, tha ai.
Eksperti i komunikacionit rrugor, Nol Dedaj, tha për Radio Kosovën se rrugët në Kosovë nuk po ndërtohen sipas standardeve të parapara, dhe kjo është arsyeja e dëmtimit të shpejtë të tyre. Sipas tij, edhe gjatë procesit të pranimit teknik ndodhin anashkalime të standardeve të parapara me tender.
“Për ndërtimin e rrugëve të reja nuk përdoren standardet e parapara. Po të ishin përdorur standardet sa i përket shtresave nën sipërfaqeve po ashtu edhe në sipërfaqeve të rrugëve, sigurisht nuk kishin ndodhur këto deformime të sipërfaqes. Edhe kur bëhet pranimi teknik i tyre anashkalohen standardet që kanë qenë të parapara në tender”, tha Dedaj.
E profesori i Fakultetit të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, Naser Kabashi, tha për Radio Kosovën se nuk bëhen studime të mirëfillta para fillimit të punimeve rrugore. E, sipas tij, një pjesë e fajit është te procesi i tenderimit, ku përzgjidhet kompania me çmimin më të lirë.
“Nuk ka studime të mirëfillta para se të fillojë ndërtimi i një rruge të çfarë do niveli qoftë ajo. Por përgjegjësia është të procesi i tenderimit, ku kërkohet çmimi më i ulët dhe këtu duhet të intervenojmë të gjithë”, tha Kabashi.
Ndërkaq, Ministria e Infrastrukturës, në një përgjigje përmes postës elektronike që i ka dhënë Radio Kosovës, thekson se Ligji mbi Prokurimin Publik në një formë obligon që kompania me çmimin më të lirë të fitojë tenderin për ndërtimin e rrugëve, dhe kjo po ndikon edhe në cilësinë e tyre.
Ministria e Infrastrukturës për mirëmbajtjen e autostradave ka angazhuar dy kompani. Ndërkaq, për mirëmbajtjen e rrugëve nacionale dhe regjionale 11 kompani.