9 Maji – Dita e Evropës është e përfshirë në kalendarin e festave zyrtare të Kosovës, duke rrumbullakuar kështu ditën e dymbëdhjetë të ditëve që institucionet ia bëjnë pushim vetes.
Edhe pse e izoluar, Kosova shënon Ditën e Evropës me aktivitete të ndryshme që simbolizojnë bashkimin e evropianëve.
Me Ditën e Evropës, festë zyrtare, Kosova dallohet thuaja nga të gjitha vendet e kontinentit evropian, në të cilat institucionet punojnë gjatë Ditës së Evropës, ndonëse atë e shënojnë si ditë me organizimin e ndonjë aktiviteti, shkruan lajmi.net.
Gjatë kohës sa ishte ministre e Integrimeve Evropiane (2013), Vlora Çitaku, kishte kërkuar që 9 Maji – Dita e Evropës – të mos jetë ditë pushimi për institucionet e Kosovës.
Por, duket se kjo çështje hasi në vesh të shurdhër, pasi kurrë më nuk u diskutua. Sot, të gjitha institucionet shtetërore në Kosovë kanë pushim. Pra, Dita e Evropës vazhdon të jetë festë zyrtare.
Ani pse Kosova, ndryshe nga vendet tjera të zhvilluara evropiane hynë në kategorinë e shteteve që ka papunësinë më të lartë, shkallën më të lartë të varfërisë, si dhe shkallë të lartë të korrupsionit e të krimit të organizuar, ka më së shumti ditë që institucionet ndalin punën.
Përkundër krejt kësaj, institucionet e Kosovës vazhdojnë të këmbëngulin se Kosova është vetëm një hap larg Bashkimit Evropian. Siç thuhet, Kosova tashmë ka filluar zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit që është marrëveshja e parë kontraktuale e Kosovës me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, Kosovës iu dha rekomandimi pozitiv për liberalizimin e vizave nga Komisioni Evropian dhe me kalimin e demarkacionit në Kuvend, Kosova e ka kushtin e fundit, luftimin e krimit dhe korrupsionit, që të merr dritën jeshile për Shengen. Sido qoftë deri atëherë Kosova mbetet e izoluar, larg BE-së dhe vend me varfëri ekstreme në sy të botës.
Kosova është i vetmi vend ballkanik të cilës i duhen viza për të udhëtuar edhe brenda rajonit. Nga 10 vende ballkanike, asaj i duhet të udhëtojë me vizë në katër: Bullgari, Rumani, Greqi dhe Kroaci, ndërsa nuk mund të udhëtojë fare në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë dhe mund të udhëtojë lirisht vetëm në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Turqi.
Kujtojmë, se Dita e Evropës zanafillën e ka te 9 maji i vitit 1950, kur ministri i Jashtëm i Francës, Robert Shuman, lexoi për shtypin ndërkombëtar një deklaratë ku i bënte thirrje Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane për të bashkuar prodhimet e tyre të thëngjillit dhe çelikut, si detyrim për ruajtjen e marrëdhënieve paqësore mes vendeve.
Vendet të cilave u drejtohej thirrja kishin dalë të rrënuara materialisht dhe moralisht nga konfliktet me njëra-tjetrën. Si rezultat i këtij propozimi një vit më vonë u krijua Bashkimi Evropian, ndërsa në Samitin e Milanos të mbajtur më 1985 udhëheqësit e Bashkimit Evropian vendosën që 9 Maji të festohej si Dita e Evropës.
Dita e Evropës bashkë me himnin, flamurin, moton dhe monedhën e përbashkët- euron janë simbolet identifikuese të Bashkimit Evropian.