Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli është pritur paraditen e sotme nga udhëheqësit e Odës Ekonomike Austriake dhe përfaqësues të bizneseve austriake në veprojnë në Kosovë, njofotn kumtesa, transmeton Koha.net.
Në këtë takim, kreu i Kuvendit të Kosovës foli për potencialet që ofron Kosova për investitorët e jashtëm.
“Kosova është vendi më i sigurt për investimet austriake në Ballkan. Shkëmbimet tregtar ndërmjet dy vendeve kapin shifrën e mbi 250 milionë euro. Kjo është një dëshmi e qartë që investimet e huaja në vendin tonë janë të sigurta. Kosova ka ndërmarr reforma të thella për t’i lehtësuar investimet e huaja direkte. Ligjet e Kosovës dhe politikat fiskale, tatimore krijojnë lehtësira të mëdha. Austria është njëri nga investuesit kryesor në Kosovë dhe ne mirëpresim edhe investitorë tjerë austriakë që të investojnë pasi vendi ynë ka kapacitete të shumta si në resurse humane po ashtu edhe në shumë fusha potenciale për investime”, tha kryeparlamentari Veseli.
Nga ana tjetër, zëvendëspresidenti i Odës Ekonomike të Austrisë, Dr. Christoph Matznetter, falënderoi kryeparlamentarin Veseli për mbështetjen e vazhdueshme që institucionet e Kosovës u kanë dhënë investitorëve austriakë, duke krijuar një klimë të favorshme edhe për investitorë tjerë.
Ai tha se Austria aktualisht është investitori i pestë më i madh në Kosovë, por synon që në të ardhmen e afërt të rris investimet dhe të jetë investitori më i madh në Kosovë.