Tash e sa vite, nëpër rrugët e Kosovës lëviz një veturë e prodhuar para 66 vitesh. Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, kjo është vetura më e vjetër në vend dhe vetëm një prej 280 mijë veturave që qarkullojnë në vend. Por, cilat janë veturat e preferuara të kosovarëve?

Llojllojshmëria e markave të veturave në Kosovë po shkon duke u rritur me kalimin e viteve. Aktualisht, qytetarët e vendit vozisin vetura të rreth 1 mijë e 500 kompanive nga e gjithë bota.

Për blerjen e tyre, ata shpenzojnë miliona. Gjatë këtij viti, shuma e parave që janë shpenzuar për blerjen e tyre ka arritur në 43 milionë euro.

Por, sa është numri i automjeteve që aktualisht janë në qarkullim dhe të çfarë markash janë?

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme deklarojnë se në gjithë vendin aktualisht janë në qarkullim mbi 350 mijë automjete, ku 290 mijë prej tyre janë vetura.

Veturat më të shpeshta në Kosovë janë ato të markës Volkswagen. Sipas të dhënave të MPB’së, qytetarët e vendit kanë mbi 130 mijë vetura të kësaj marke.

Pas Volkswagenit, marka tjetër më e shpeshtë e veturave në vend është Opel. Në gjithë vendin janë mbi 33 mijë vetura të tilla.

Kosovarët po del se janë edhe meraklinj të Mercedesit dhe BMV’së.

Në rrugët e vendi aktualisht janë në qarkullim mbi 16 mijë vetura të llojit Mercedes Benz, derisa mbi 13 mijë të tjera janë BMV’ja.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, vetura më e vjetër që qarkullon nëpër rrugët e Kosovës është e prodhuar para 66 vitesh.

“Mjeti më i vjetër në qarkullim aktualisht është i vitit:1954, ndërsa mjeti me i Ri ne qarkullim është vitit 2020”, kanë deklaruar nga MPB’ja.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, nga janari e deri në shtator, në vend kanë hyrë 14 mijë e 364 vetura. Shumica e këtyre veturave janë të përdorura.

Për t’i blerë gjithë këto vetura, kosovarët kanë shpenzuar hiç më pak se 42 milionë e 832 mijë e 98 euro.

Veturat më të preferuara për banorët e vendit po del të jenë ato gjermane, pasuar nga ato franceze, por që nuk mungon edhe importi nga vendet e tjera.

Vetura janë blerë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Japonia, Italia, Spanja, Mbretëria e Bashkuar, Korea, Kanada, Kina, Suedia, Zvicra, Tajlanda, Belgjika, Serbia, Turqia, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Austria.

Ndryshe, në Komisionin për Infrastrukturë të martën ka kaluar Projektligji për Ndryshimin e Ligjit për Automjete, me anë të të cilit do të hiqej homologimi i veturave që vijnë nga Bashkimi Evropian, Zvicra dhe Norvegjia.

Homologimin, që konsiderohet krejt i panevojshëm, e kryen vetëm kompania në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli.

Ky projektligj pritet të dalë për votim edhe në Kuvend të Kosovës, derisa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrullah Çeku, që është anëtar i këtij Komisioni, ka thënë për Gazetën Express se pret që kjo të ndodhë shumë shpejt.

“Në mbledhjen e djeshme të Komisionit kishte vetëm një abstenim, gjithë të tjerët votuan pro këtij projektligji. Pjesa tjetër është procedurë standarde e Kuvendit dhe besoj që projektligji do të vijë shumë shpejt në seancë plenare”, ka thënë Çeku.

Çështja për ndryshimin e Ligjit për Automjete u iniciua nga një peticion, ku u mblodhën 10 mijë nënshkrime.

Secili qytetar që importon automjet nga ndonjë vend tjetër në Kosovë është dashur të paguajë hiç më pak se 125 euro në emër të homologimit, proces ky i vlerësuar si i panevojshëm edhe nga përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Për vite me radhë, homologimin në Kosovë e kryen vetëm kompania “Euro-Lab”, që është në pronësi të biznesmenit Blerim Devolli.

Gazeta vazhdimisht ka raportuar për homologimin dhe monopolet e tjera që shteti u ka dhënë biznesmenëve të familjes Devolli nga Peja.