Mbi njëmijë persona që punuan për KQZ-në, në zgjedhjet e fundit lokale, do t’i marrin paratë që u mbeti borxh ky institucion më 24 korrik.
E më tepër se 600 tjerë, do të presin ende.
Një gjë të tillë e bëri të ditur vetë KQZ, përmes një njoftimi për medie, të hënën, kur tha se për pjesën e parë janë siguruar paratë, e për të dytën jo.
Janë gjithsej 1 mijë e 748 persona të cilëve ky komision u kishte mbetur borxh. 1 mijë e 126 persona i marrin paratë nesër (më 24 korrik) e 622 tjerë do të presin kur shteti t’i sigurojë mjetet e nevojshme.
Nga kjo lista e fundit, 455 të angazhuar janë nga komuna e Klinës dhe 167 të tjerë nga Prizreni.
Mjetet për 1 mijë e 126 persona thuhet se janë siguruar nga buxheti i KQZ-së, saktësisht nga projektet të cilat kanë pasur të realizohen në këtë pjesë të dytë të këtij viti.
Borxhlinjtë e deritashëm të KQZ kanë qenë të angazhuar në komuna të ndryshme të Kosovës si komisionerë, personel për raportimin e rezultateve preleminare (K-Vote) dhe në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).