Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se “çdo vonesë për t’i konstituuar institucionet është humbje për Kosovën”.
Ai i bëri thirrje Albin Kurtit, që, siç tha, “të japë dorëheqje” dhe të kthehet në Kuvend për konstitiuimin.
“Ne e thërrasim sot, sa më herët zotin Kurti, le të japë dorëheqje ai dhe ministrat që janë zgjedhë deputetë, le të vijnë në Kuvend. Le të vijnë në Kuvend, por le të japin dorëheqje. Nuk jepet me Facebook e me referime, ky njoftim, ai njoftim”, tha Krasniqi.
Ai tha se “ndërron situata” në rast se kjo ndodh.
“Por pa ndryshu konteksti, pa ndërru faktet, pa ndërru situata legale, nuk mund të ndërrojë vota jonë”.
“Ata munden sot të japin dorëheqje dhe mund të mblidhemi sot”, tha ai.
Krasniqi tha se po duket që LVV-ja është “larg” krijimit të qeverisë së re.
“Ne jemi këtu për ta konstituuar Kuvendin. Ne kemi ardhë duke besuar se sot votohet edhe kryetari, edhe nënkryetarët – përveçqë jepet betimi – dhe që fillojmë të hyjmë në procesin kushtetues të krijimin të qeverisë. Por po duket që këta me 52 vota janë larg prej një situate të tillë”.
“Jep dorëheqje, hajde e mbajmë seancën. Propozoje kryetarin, zgjedhe; i propozojmë nënkryetarët. Hyjmë pastaj në proces kushtetues dhe e këqyrim kush e bën qeverinë”, tha Krasniqi.
Ai tha se është i bindur që Kurti “nuk mund ta bëjë qeverinë”.
“Jam i bindur, prej kësaj që po e shoh sot, që z. Kurti nuk mund ta bëjë qeverinë. Ne jemi të gatshëm, në rast të dështimit të tij menjëherë ta marrim përgjegjësinë me partitë që kanë qenë në të kaluarën në opozitë, dhe me komunitetet pakicë të Kosovës, përveç Listës Serbe, që ta bëjmë qeverinë e re”.