Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ka kritikuar LDK-në se nuk po mendon në të mirë të qytetarëve të vendit, dhe se nuk po ndihmon në funksionalizimin e Kuvendit.
Ai ka thënë se shpreson që ndryshimi i qasjes së LDK-së për të thirrur seancë të jashtëzakonshme për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, do ta ndjekë atë edhe në fushat e tjera, shkruan lajmi.net
“Unë shpresoj që ky ndryshim i qasjes do t’i ndjekë edhe fushat tjera që lidhen me ligjet, dhe dialogun me Serbinë ku kemi një rezolutë që është propozuar nga PSD-ja. Ne më shumë duhet të mendojmë për qytetarët e Kosovës e jo të ndrrojmë qëndrimet kur të na vijnë dy ose tre miq nga Brukseli”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi ka folur edhe për protestat e paralajmëruara nga Vetëvendosje me 29 shtator, për të cilat ka thënë se nuk duhet mirren seriozisht madje as nga partitë opozitare.
“Vetëvendosja s’ka qenë në protesta moti, edhe mos me pas arsye ata e kishin gjetë një arsye kinse për ngrohjen globale. Nuk mendoj që ia vlen me u trajtu seriozisht”, ka thënë Krasniqi.
Krasniqi në fund ka bërë të ditur që nesër ka gjasë të mbahet seancë me pikat e papërfunduara të rendit të ditës nga seancat e kaluara.