Drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Universitarë të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi ka thënë se situata me COVID-19 në spitalet e vendit është më e qetë dhe e relaksuar në krahasim me ditët e kaluara.
Krasniqi përmes një konference për media pas takimit që zhvilluan me anëtarët e Komisionit të Shëndetësisë të Kuvendit të Kosovës, tha se në raportin e sotshëm të orës 09:00 janë të hospitalizuar 426 pacient, ku prej tyre siç tha ai 320 janë në oksigjeno terapi dhe 36 të tjerë janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Sot në raportin e orës 9:00 kemi 426 të hospitalizuar, prej tyre 320 janë në oksigjeno terapi të vazhdueshme, ndërkohë që 36 pacientë janë në gjendje të rëndë duke u trajtuar në repartet e kujdesit intensivë. Tash e kemi një situatë shumë më të qetë dhe më të relaksuar. Tani për tani pacientët janë duke u trajtuar në klinikën Infektive dhe të Pulmologjisë si dhe një pjesë e vogël e tyre në objektin e mjekësisë sportive si dhe në mjekimin intensiv qendror, ata që janë në gjende më të rëndë. Ndërsa, në spitalet e përgjithshme janë duke u trajtuar në repartet infektive dhe pulmologjike”, ka thënë Krasniqi.
Ai foli po ashtu edhe për Ligjin e Pagave, ku ndër të tjera tha: “Ne duam ta shohim sa më shpejt Ligjin e Pagave,e cila do të zgjidh njëherë e mirë çështjen e pagesave të personelit shëndetësor. Ne kërkojmë që shtesat në bazë të mundësive buxhetore të jenë sa më të larta për punëtorët shëndetësor të cilët janë të angazhuar në frontin e parë të betejës me COVID. Tashmë një vit punëtorët shëndetësor me apo pa shtesa që një vit e gjysmë janë duke e kryer punën e tyre”.