Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media, ka akuzuar Serbinë për financimin, planifikimin dhe logjistikën e sulmeve terroriste në veri të vendit. Ai ka deklaruar se të dhënat e siguruara nga institucionet e inteligjencës së Kosovës tregojnë se Milan Radoiçiq, me përkrahjen e drejtpërdrejtë të Beogradit, ka dhënë urdhra për kryerjen e disa sulmeve në Kosovë, duke përfshirë atë në kanalin Ibër-Lepenc më 29 nëntor.

Sulmi me eksploziv në fshatin Varragë, komuna e Zubin Potokut, është realizuar me 20 kilogramë lëndë shpërthyese dhe kishte për qëllim paralizimin e jetës ekonomike dhe energjetike të Kosovës, si dhe shkaktimin e trazirave që kërcënojnë sigurinë kombëtare dhe stabilitetin rajonal. Ky kanal furnizon me ujë pjesë të rëndësishme të Kosovës, përfshirë rajonin e Mitrovicës, Prishtinën me rrethinë dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.

Kurti ka theksuar se Radoiçiq, i cili aktualisht besohet se ndodhet i lirë në Serbi, ka autorizuar dy persona të afërt, Nemanja Rajdiviq (i njohur si “Gandi”) dhe Vladimir Rajdiviq (i njohur si “Mami”), për të kryer sulme të tjera, përfshirë ato në Banjskë dhe në kanalin Ibër-Lepenc. Ai ka shtuar se përkrahja që Serbia i ofron grupit të Radoiçiqit është një dëshmi e qartë e koordinimit të shtetit serb me këtë grup terrorist, duke intensifikuar një luftë hibride kundër Kosovës.

Sipas Kurtit, nga qershori deri më 29 nëntor të këtij viti janë evidentuar 15 sulme që kanë pasur si synim destabilizimin e Kosovës. Këto sulme kulmuan me atë në Banjskë, ku më 24 shtator 2023, rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, humbi jetën.

“Strehimi i Radoiçiqit në Serbi dhe refuzimi i Beogradit për ta dorëzuar atë është një akt i papranueshëm. Ky është një inkurajim i drejtpërdrejtë për grupin terrorist që ai drejton për të vazhduar me akte kundër sovranitetit dhe integritetit të shtetit tonë”, tha Kurti.

Ai ka bërë thirrje për përgjegjësi ndërkombëtare ndaj Serbisë, duke theksuar se nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet në rajon pa ndalimin e veprimeve destabilizuese nga ana e Beogradit. Serbia ka hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se nuk ka lidhje me këto sulme.