Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se pas 9 shkurtit, kryetari i LDK-së si kryeministër i vendit do ta rris koeficientin qysh në javën e parë.

“Qytetarët duhet të reflektojnë më 9 shkurt dhe me pa se kush do t’ua rris pagat në javën e parë të mandatit, e ai është kryeministri i LDK-së zoti Lumir Abdixihiku, koeficienti në javën e parë do të rritet në 150 euro”, ka thënë Bajrami.

“Ky është premtim dhe zotim i yni. Mund ta bëj Qeveria tani, por e bënë për të blerë vota”, ka thënë Bajrami.

Ajo ka thënë se secili prej qytetarëve të vendit duhet ta pyet veten a jetoj më mirë me këtë qeveri.

“Në buxhetin e vitit 2025 do të rritet koeficienti deri në 135, mirëpo kjo është korrupsion. Me taksa e qytetarëve, Qeveria do të rrit pagat për t’ua marr votat. Kjo është tentativë për të blerë vota”, ka thënë Bajrami.

Deputetja Bajrami në Debat Plus në RTV ka thënë se si pasojë e masave të Bashkimit Evropian, Kosova ka humbur miliona euro.

“293 milionë euro Kosova s’po i merr për shkak të masave të BE-së, vetëm në 3 sektorë. Kjo është një listë që e kemi marr vetëm prej njërit prej donatorëve që janë afektuar projektet e tyre”, ka thënë Bajrami.

Deputetja Bajrami tha po ashtu se Qeveria po vazhdon të mashtrojë me shifra sa i përket rritjes së punësimit dhe rritjes ekonomike.

“Pensionisti kur e sheh Xhelalin e Albulenën tu bo filma në veri, s’i dalin 50 euro për harxh në markete”, ka thënë Bajrami, duke shtuar se Qeveria po vazhdon me propagandë tash e 4 vjet gati.