Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq tha se nuk ka një afat për arritjen e marrëveshjes me kompromis me shqiptarët e Kosovës, e as për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtarisht të obligueshme.
Ajo po ashtu ka thënë se nuk e di nëse kjo është faza finale e negociatave midis Beogradit e Prishtinës, por ka shtuar se “punë e politikës së përgjegjshme është të gjejë kompromis që të gjitha gjeneratave që vijnë u garanton siguri e stabilitet”.
“Nuk duam më luftë”, tha ajo për “Novosti”, transmeton lajmi.net.
Pasi ka thënë se dialogu midis Beogradit e Prishtinës po zhvillohet nën përkujdesjen e BE-së, kurse qëllim strategjik i Serbisë është anëtarësimi në BE, Bërnabiq ka shtuar se “nuk shoh arsye pse duhet dikush tjetër të përfshihet në të”.
“Por, nëse përfshihet SHBA, gjë që po kërkon Prishtina, atëherë gjithsesi në tryezë duhet të jenë edhe ato fuqi të mëdha që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe që mbrojnë të drejtën dhe drejtësinë ndërkombëtare, siç janë Rusia ose Kina”. /Lajmi.net/