Rasti i ish- aktivistit të Vetëvendosjes, Astri Deharit, që ndërroi jetë në burgun e Prizrenit, tashmë është dërguar për superekspertizë në shtetin e Zvicrës, ashtu siç ishin dakorduar familja dhe kishte pranuar shteti. Dërgimin e këtij rasti në autoritetet e Zvicrës e ka konfirmuar për Gazetën Express, kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi. Vetëvendosje ka insistuar se Dehari nuk ishte vetëvrarë ashtu siç e nxori mjekësia ligjore kosovare.
Shteti e ka plotësuar kërkesën e familjes Dehari e cila në shkurt të vitit 2017 vendosi që ekspertizën për vdekjen e djalit të tyre ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicër.
Prindërit e ish- aktivistit të Vetëvendosje nuk u besuan institucioneve të vendit për shkaqet e vdekjes së Astritit duke kërkuar kështu hetime ndërkombëtare.
Tash, shteti ka shkuar një hap më tej.
Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi e ka konfirmuar për Gazetën Express se janë dërguar të gjitha informatat e rëndësishme tek autoritete e Zvicrës.
“ Po, i kemi dërguar të gjitha informatat relevante për procedurën penale dhe të dhënat mjekësorë autoriteteve zvicerane për t’u proceduar në institucionin profesional për ekzaminimin e nevojshëm”, është shprehur ai.
Ndërkaq ka bërë të ditur se janë duke e pritur raportin dhe konstatimin e ekspertëve zviceran. Lumezi nuk ka treguar se sa do të jetë periudha që do të zgjas për këtë ekzaminim.
Astrit Dehari, një aktivist i Vetëvendosjes, vdiq më 5 nëntor 2016, teksa po mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, si i dyshuar për sulmin me granatahedhës në Kuvend në gushtin e 2016-ës.
Kuvendi i Kosovës në dhjetor të vitit 2016 miratoi rekomandimet për rastin Dehari, ndër të cilat “familja mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së, ose SHBA dhe Qeveria t’i heqë të gjitha shpenzimet”.
Familja Dehari në shkurt të vitit 2017 vendosi që ekspertizën për këtë rast ta kryejë Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze. Për zbardhjen e rastit të Astrit Deharit janë bërë vazhdimisht protesta.
Kujtojmë se në vitin 2016 kishte ndodhur një shpërthim rreth orës 23:00, te objekti i Kuvendit të Kosovës.
Ky shpërthim ndodhi në ditën kur Qeveria e kishte proceduar në Kuvend projektligjin për demarkacionin me Malin e Zi. Për këtë ishin akuzuar katër aktivistë të Vetëvendosjes.