Në të gjitha hyrje-daljet e kryeqytetit, Policia e Kosovës nga dje ka filluar kontrollet, pas vendimit që Prishtina të futet në karantinë, raporton Llapi.info.
Dy pika kontrolluese janë vendosur edhe në magjistralen që të shpie në kryeqytet, Podujevë – Prishtinë.
Policia ka vendosur dy kontrolle, një në fshatin Lupç dhe një tjetër tek rreth-rrotullimi në Lebanë. Zyrtarë policorë po i kontrollojnë të gjithë personat që kanë mësyrë Prishtinën, derisa kjo ka shkaktuar edhe kolona të gjatë përgjatë kësaj magjistraleje.
Shoferët të cilët nuk janë të pajisur me leje të lëvizjes po kthehen mbrapa. Në pamjet që i ka siguruar Llapi.info shihet pritjet e gjatë në këtë rrugë. Sipas dëshmitarëve, nga kordonët policore mund të kalojnë vetëm ata persona me leje dhe ID nga kategoritë e parapara.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga dje Komuna e Prishtinës të futet në karantinë për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Ky vendim është nxjerrë nga ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në konsultim me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.
Ka shkuar në 362 numri i të infektuarve në Kosovë me COVID-19, derisa vetëm dje janë shënuar 79 raste./Llapi.info