Kryetari i AAK-së në Podujevë, Fatmir Humolli, ua ka dërguar një letër deputetëve të Kosovës, sipas tij për kontrabandimin që po provohet të i bëhet Kosovës me marrëveshjen e demarkacionit, njofton Llapi.info
Sipas tij marrëveshja për shënjimin e kufirit me Malin e Zi dhe deklarata e presidentit Hashim Thaçi, janë të dëshmshme dhe që cenojnë integritetin territorial të Kosovës.
Kujtojmë se Humolli në një prononcim për ‘Llapi.info’, ka deklaruar se është kundër demarkacionit, madje duke thënë se do të largohet nga posti i kryetarit të AAK-së në Podujevë, nëse kjo marrëveshje miratohet. Kështu duke dalë edhe kundër qëndrimeve të Ramush Haradinajt.
Ja letra e plotë e Humollit:
Miq të nderuar, po ndaj me ju letrën të cilën ua kam dërguar deputetëve të Kuvendit, pas kontrabandimit që po provohet ti bëhet marrëveshjes së demarkacionit!
Të nderuar të zgjedhur të popullit,
Përpjekjet shumëshekullore të shqiptarëve për çlirim dhe mbrojtje të tokave tona kanë ngadhënjyer mbi çdo presion fuqish botërore, megjithëse me shumë mund e sakrificë, sepse e drejta ka qenë gjithmonë në anën tonë. Pas çdo triumfi të popullit tonë, nuk janë ndalur as tendencat për përçarje në mes nesh e copëtim të trojeve tona, por në fund shqiptaria ka mbetur. Presidenti, Qeveria, Kuvendi do të ndërrohet me kalimin e kohës,ashtu sikur edhe ju si deputet, pra askush nuk është i përjetshëm në udhëheqësi të vendit. Ti si deputet i zgjedhur i kësaj periudhe historike, e ke për obligim mbrojtjen e shtetit tënd nga çdo e keqe që i kanoset, vendimet tuaja janë vendimtare për të ardhmen e këtij vendi dhe për trashëgiminë që do ta lëni pas për gjeneratat që do të vijnë. Ti si deputet duhet të kërkosh llogari nga ata që i kanë falur me mijëra hektarë tokë Maqedonisë, e jo të japësh ende tokë të Kosovës.
Marrëveshja për shënjimin e kufirit me Malin e Zi, bashkë me deklaratën e nënshkruar nga Hashim Thaçi janë të dëmshme dhe cënojnë integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Deklarata që përmbanë formimin e një grupi punues për gjetjen e gabimeve eventuale nuk përbënë efekt juridik ndërkombëtarë, pra nuk është e detyrueshme.
Ratifikimi i kësaj marrëveshje nënkupton faljen e tokës së Kosovës Malit të Zi, e pastaj nëse gjenden gabime, prap Kuvendi i Malit të Zi duhet të vendosë se a dëshiron të na kthej tokën apo jo. Çdo vendim që merret pas ratifikimit të kësaj marrëveshje është ekskulzivisht në diskredicion të Malit të Zi, e Kuvendi i tij mund të mos e pranoj korrigjimin e vijës kufitare, sepse ajo tokë rrjedhimisht bëhet pjesë e territorit të tyre.
Është gjendje e njejtë sikurse atëherë kur Tito i kishte thënë Enver Hoxhës se Kosova është e juaja, mirëpo për shkak të nacionalizmit serb në Jugosllavi për momentin nuk mundemi të ju kthejmë atë, pra njësoj do të arsyetohet presidenca e Malit të Zi kur nacionalizmi serb në Kuvendin e Malit të Zi nuk do ta pranojë korrigjimin e marrëveshjes.
Procedura për liberalizimin e vizave kërkon votën e Spanjës dhe të Greqisë përveç shteteve të tjera, e që këto të dyja nuk na njohin as si shtet. Ju që po e pranoni presionin e miqëve të Serbisë, duhet të shihni se Serbia dhe lobimi i saj është i fuqishëm deri në SHBA përderisa ju jeni të pavendosur. Miqtë nuk qesin kushte!
Pra, në emër të ardhmërisë na ofrohet një ecje prapa, heqje dorë nga ajo që është arritur me gjak.
Me logjikën e kompromisit ju dalëngadalë do ta zhbëni edhe këtë që është arritur deri tash.
Ne duhet të jemi të zot të veprojmë me integritet të plotë për të mirën e vendit tonë. Asnjë presion i jashtëm nuk mund të jetë arsye për heqjen dorë nga interesat e vendit. Nëse duam që bashkësia ndërkombëtare të na respektoj, ne duhet fillimisht ta respektojmë veten duke menduar dhe punuar në të mirë të shtetit tonë e jo ta dëmtojmë atë. Shihni shembullin e Serbisë, e cila nuk lëshon pe në çështjen e Kosovës pavarësisht presioneve të vazhdueshme ani pse nuk ka aspak të drejtë, edhe kështu ajo ka një pozicion më të avancuar dhe të favorshëm se sa ne e se shumë shtete të tjera të rajonit. Kështu duhet kuptuar logjikën se si funksionon politika ndërkombëtare. Me servilizëm dhe nënshtrim, nuk të respekton as miku e lëre më të tjerët.
Nëse sot nuk funksionon si duhet sistemi i drejtësisë dhe prokurorët e shtetit nuk ndërmarrin asgjë kur falet toka e nënshkruhen marrëveshje të dëmshme, duhet të paktën të frikësoheni nga historia kur stërnipat tuaj të shohin emrat tuaj si shkaktar të këtyre gabimeve.
Shteti ynë dhe qytetarët tanë kanë nevojë për pjekuri politike të udhëhequr nga vetëdija kombëtare!
Vendimi është në dorën tuaj!
Fatmir Humolli